Duke filluar nga e diela udhëtarët që vijnë në Gjermani nga Shqipëria ose Maqedonia e Veriut duhet të regjistrohen në internet. Gjermania paralajmëron që të mos udhëtohet në këto dy vende nëse nuk është e nevojshme.
Nga e diela (16.01.2022) Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe një sërë shtetesh të tjera, për shkak të shifrave të larta të infektimeve të reja me korona, hyjnë sërish në listën e vendeve me rrezik të lartë. Këtë e ka bërë të ditur Instituti Robert Koch të premten (14.01. 2022). Në këtë mënyrë, me përjashtim të Kosovës, të pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zona me rrezik të lartë. Mali i Zi ka qenë në këtë listë qysh në gusht 2021.

Listës i janë shtuar mbi 60 vende, ndër to edhe Austria. Me këtë të fundit, të nënta vendet fqinje të Gjermanisë: Danimarka, Polonia, Çekia, Zvicra, Franca, Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda – janë në listën e vendeve me rrezik të lartë, ku aktualisht bëjnë pjesë rreth 140 nga mbi 200 vendet e mundshme.

Paralajmërim për udhëtime turistike
Zonat me rrezik të lartë janë vendet ose rajonet ku numri i të infektuarëve gjatë shtatë ditëve të kaluara ka qenë mbi 100 për çdo 1000 banorë. Ky është kriteri kryesor, por ka edhe kritere të tjera, të cilat e bëjnë një zonë, zonë me rrezik të lartë, si shpejtësia e lartë e përhapjes, shkalla e shtrimit në spital ose shkalla e ulët e testimit.

Regjistrimi digjital fillon të dielën
Udhëtarët që në dhjetë ditët e fundit kanë qenë në njërin nga vendet e listës duhet të regjistrohen në portalin digjital https://www.einreiseanmeldung.de . Për vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe të tjerat, që i janë shtuar listës këtë javë, regjistrimi mund të bëhet vetëm që nga dita e dielë e më pas, pra nga data 16.01.2021, ora 00:00.