Gjykata Themelore e Shkupit do të shqyrtojë për herë të tretë nevojën për paraburgimin e Sead Koçanit, pasi Gjykata e Apelit e ka pranuar ankesën e Prokurorisë Speciale. Kështu, të akuzuarit të parë në rastin “Trust”, nuk do t’i vlejë më garanca prej afro 1 milion eurove pasi ka gjasa të shqiptohet një masë e re kujdesi. Në vendimin e paraqitur në faqen e internetit të sajë, Gjykata e Apelit ka vërejtur se vendimi i Gjykatës Themelore është i mangët, pasi nuk ka prova ose mbështjetje të mjaftueshme që do të arsyetonte vetëm marrjen e pasaportës dhe lënien në liri me garanci.

“Gjykata e Apelit njofton se Këshilli Penal i Gjykatës së Apelit solli vendim që të shfuqizohet garancia e dorëzuar nga pala mbrojtëse e të dyshuarit S.K dhe lënda përsëri të kthehet në Gjykatën Themelore Shkupi 1 tek gjykatësi i procedurës paraprake. Gjatë dhënies së garancës, nuk janë dorëzuar të gjitha provat relevante me të cilat do të mbështetej garanca e ofruar dhe do të merrej një vendim ligjor”

Gjykata Themelore dy herë radhazi kundërshtoi paraburgimin e Sead Koçanit por gjykata e Apelit ia kthente vendimet me ankesë të Speciales. Pasi Koçan u kthye nga arratija, kryeprokurori Marko Zvrlevski i erdhi në shpëtim me kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë. Pastaj në ndihmë u paraqit kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski, i cili  ia pranoi ankesën Zvërlevskit dhe Koçani i kthyer nga arratia u la i lirë me garanci dhe pasaportë të marrë përkohësisht. /SHENJA/ 


Gjykata e Apelit e pranon lëndën e Sead Koçanit by tvshenjaofficial