Gjykata Kushtetuese nuk ka shqyrtuar në seancën e sotme nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për vendosjen e Kryqit në Butel. Nga ky institucion, thanë se kjo pikë e rendit të ditës është anuluar dhe është lënë që të diskutohet në seancën e ardhshme për shkak të mungesës së gjykatësit Sali Murati.

“Vlerësojmë se është e rëndësishme që pikat e një rëndësie më të madhe të diskutohen dhe të vendosen në prezencë të të gjithë gjykatësve. Për këtë arsye, kjo pikë e rendit të ditës, do të diskutohet në seancën e radhës”, deklaruan nga Gjykata Kushtetuese.

Rregullorja parashikon që pasi kjo pikë të shqyrtohet, gjykata ka dy mundësi: Ta hedhë atë poshtë si të pabazë që në seancën e parë ose të pranojë shqyrtimin më të detajuar të saj, duke e kaluar në një seancë tjetër. Sipas ekspertëve dhe sipas praktikës së funksionimit të gjykatës kushtetuese, kalimi në fazën tjetër zakonisht do të thotë një vendim pozitiv në favor të iniciativës, gjegjësisht, shfuqizimin e vendimit për vendosjen e kryqit në Butel.

Vendimin për vendosjen e kryqit në Butel, në Gjykatën kushtetuese e ankimoi në mars kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela i cili ditë më parë tha se nëse gjykata kushtetuese do të hidhte poshtë iniciativën e tij, kjo do t’ju hapte rrugën komunave shqiptare që me vendime për pajisje urbane të vendosin simbole dhe përmendore shqiptare. Pas disa ditë protestash të iniciuara nga BDI-ja dhe dhune të ushtruar ndaj donatorit, kreut të Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov, punimet për vendosjen e këtij kryqi kanë ndaluar me arsyetimin e gjetjes së një marrëveshje në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimit të Badenterit.