Kanë votuar një ligj për servisin publik por nuk e dinë çka, e revoltuar ka thënë kryeredaktorja e MTV2 Migena Gorenca. Nuk janë paraparë shpenzimet shtesë që do të sjellin ndryshimet ligjore. Ajo vlerëson se ligji nuk është aspak i definuar dhe se ka mangësi të mëdha në defnimin e procedurës se si kjo gjë do të mund të ndodhë. Sipas saj, ky ligj duhej të ishte shoqëruar me nene të veçanta për mënyrën e implementimit.

“Megjithatë ligji ka mangësitë e veta, ata që i sjellin ligjet, politikanët shqiptarë në këtë rast sepse ata janë fajtorët kryesorë, nuk e dinë që ligji duhet të ketë afate konkrete realizim. E para, si do të zgjidhet statusi i redaksive të vogla për të cilat tani ne jemi përgjegjës në TVM2 i pesë redaksive të vogla të etniteteve që duhet të dalin në kanal të veçantë. Dhe çështja më e rëndësishme për ne që ende nuk është zgjidhur në gjithë këto vite dhe që ende zvarritet pa një afat preciz kohor është ndarja financiare e buxhetit të brendshëm të TVM-së. Ky televizion ende nuk ka një ide të qartë se cili është buxheti që disponon në fillim të vitit për të bërë planifikimin vjetor se çfarë emisionesh do të marrë, blejë apo prodhojë me mjetet vetanake”, ka thënë për Alsat-M.