Nga Arben TARAVARI

 

Një urim i cili vjen trishtuar nga rrugët boshe të qytetit tim. Unë jam nga GOSTIVARI. Një qytet diku rreth 100 mijë banorë, përfshi rrethinën. Gostivari sa vjen dhe mpaket, tkurret. Njerëzit dalin më pak, dyert mbyllen më herët, hapen më rrallë! Sa të mirë janë gostivarasit e mi! Sa të ndrydhura e të ngrysura më duken ditët që e le Shkupin e madh dhe plot alarme, dhe kthehem në qytetin tim të qetë! Se tashmë Gostivari nuk është i qetë, është i heshtur…

rinj papunë…prindër që nuk menaxhojnë dot të ardhurat për të mbajtur familjet…pleq hijerëndë që iu ka mbetur vetëm krenaria e gjakut, pasi shteti ka ditur t’iu marrë çdo gjë!
Po janë shumë të mirë gostivarasit e mi! Janë njerëz të ndershëm! Nuk meritojnë këtë tablo ku janë vendosur! Qytet i cili, ashtu si çdo qytet shqiptar në Maqedoni, duket se jeton vetëm një stinë, atë të verës!
Në verë kur rrugët mbushen me njerëz, kur shikon gjithë atë rini të gjallojë si ngjyrë e ndezur në qytet!
Kur ftesat e dasmave vijnë më shpesh se faturat e energjisë elektrike, ku dyqanet e floririt kthehen si sheshe në miniaturë të bursave amerikane…por ku gjithshka në fund është e mirë se është e ndershme, është e paqtë! Po tani?! Çdo vjeshtë është e rëndë dhe është e mbërdhacake, por jo si kjo e sivjetshmja!
Eci dhe shoh shtëpi të mëdhaja tradicionale tonat, me dyer e dritare të mbyllura si të ishte luftë. Shenjë që familjarët nuk janë aty. Në Gostivar sa vjen dhe po shtohen shtëpi të mbyllura…dhe njerëzit nuk ikin se duan, por braktisin se nuk kanë më, e stomaku bosh me sedrën e thyer zyrave për punësim, janë pasaporta pa kthim drejt shteteve të huaja…
Qyteti më duket si pemë e lashtë që papritur po i bien gjethet. Kaq bosh, kaq vetëm, kaq dhimbshëm…nuk e meritojnë gostivarasit e mirë këtë gjëndje…ata janë njerëz të qetë e me zemrën që rreh në vendin e duhur.
Qeveria ka plan afatgjatë ndoshta që të shpërbëj çdo shtëpi, lagje e qytet shqiptar, dhe kjo më dhembi në kockë, këtë mëngjes…rrugëve bosh…në Gostivar.
Tek mendoj ta mbyll, i shoh dy fëmijë, qeshin dhe luajnë me njeri tjetrin. Më kujtojnë fëmijërinë time, shokët e mi. Ne ishim shumë. Tashmë pothuajse të gjithë të ikur nga Gostivari. Tani si për ironi duken vetëm këta dy fëmijë…më vjen të çohem dhe t’i them: mos ikni! Mos e lini kurrë! Kaq shumë sa e doni tani, kaq ta doni edhe kur të bëheni burra, se është qyteti juaj! Edhe kur të diplomoheni dhe mos gjeni punë…edhe kur të martoheni dhe mos keni para për dasëm…edhe kur të bëheni prindër e mos keni para për të rritur fëmijët…më duket sikur më pyesin zërat e të ikurve…
Pyetje që përgjigje kanë veç Braktisjen…
Për hir të Zotit duhet të ndalojë kjo masakër e gjatë ndër vite mbi qytetin tim, si nē çdo qytet shqiptar!
Është i mirë Gostivari, nuk meriton të vdesë dalëngadalë kështu…të vdesë përqafimi i babës, të vdesë puthja e nënës, të vdesë buzëqeshja e parë e dashurisë…se më vdes zemra mua dhe mijëra të tjerëve që jemi gostivaras dhe shqiptarë!

© fol.mk