Kryeministri në largim Nikolla Gruevski në cilësinë e kryetarit të VMRO-DPMNE dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kanë shprehur qëndrime të ngjajshme duke kundërshtuar shtyrjen e zgjedhjeve.

Gruevski dha dorëheqjen mbrëmë, por duke e kushtëzuar me mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill dhe jo prolongimin e tyre.  Gruevski me ekipin e tij gjatë daljes nga rezidenca e BE-së, pas takimit me eurokomisarin Han theksoi se nuk ka çka të shton pasi që gjithçka ka thënë gjatë fjalimit të dorëheqjes. Ai bile ironizoi pritjen e mediave duke theksuar se nuk ka kohë sepse e pret hapja e një fabrike.

Por edhe partneri i tij qeveritar, Ali Ahmeti theksoi sot se është kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Ai këtë e theksoi para hyrjes në takimin me Han.

Ahmeti pranoi para gazetarëve se partia e tij nuk dëshiron shtyrje të zgjedhjeve të paralajmëruara për në 24 prill, qëndrim ky i ditur tashmë.

Ahmeti argumentoi se shtyrja e mëtejshme e mbajtjes së zgjedhjeve do të thellonte akoma më shumë edhe krizën politike në vend, si do të shërbente si një bllokadë edhe për investimet në të ardhmen.

Pavarësisht pyetjes, a ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, Ahmeti tha se iu takon institucioneve të përveshin krahët dhe të vërtetojnë kushtet për zgjedhje demokratike.

Ndërsa, kryetari i LSDM-së , Zoran Zaev, pas takimit rreth 1-orësh me komisionarin Han deklaroi për mediat se do të bëhen të gjitha përllogaritjet lidhur me afatet për organizimin e zgjedhjeve, edhe pse sipas tij, pavarësisht se kryeministri Gruevski dha dorëheqje të kushtëzuar, është i ndërgjegjshëm se afatet për pastrimin e listës e zgjedhore nuk mund të përmbushen.

Zaev, tha se një shqetësim i tillë daton që përpara “bombave”, ndaj pastrimi i listës zgjedhore lë dyshime nëse do të mund të realizohet brenda kohës që ka mbetur.

Sipas Zaevit, opozita është ajo që duhet të sigurojë zgjedhje të drejta; ajo ka rolin më të rëndësishëm në këtë proces dhe t’u garantojë qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre të lirë në zgjedhje.

Kreu i LSDM-së tha se kërkesat e opozitës po shqyrtohen edhe nga faktori ndërkombëtar, por vetë Zaev nuk deshi të paragjykonte epilogun e mundshëm të bisedimeve të sotme.

Mbetet që vërejtjet e paraqitura të diskutohen bashkërisht, në takimin e përbashkët të liderëve me komisionarin Han, pas mesditës. (INA)

ali4