Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka pasur një uikend të tensionuar, shkruan portali ‘Libertas.mk’. Burime të këtij portali kanë thënë se në VMRO-DPMNE, po rritet gjithnjë e më tepër nervozizmi, nga frika se mund të humbin në zgjedhjet e ardhshme, por edhe për shkak të frikës së paraqitur te shumë kuadro, se mund të gjenden në “listën” e PSP-së (Prokurorise Speciale).

Për këtë arsye gjithnjë e më e madhe është konkurrenca për të siguruar vende në listat e kandidatëve, që garantojnë imunitet deputeti, transmeton portali.

“Libertas” informon se Gruevski ka pasur një përplasje me kryetarë të gjashtë Degëve partiake të VMRO-së, të cilët insistojnë të jenë në listat e kandidatëve. Për të bërë presion, ata madje ia kanë bërë me dije ish kryeministrit se mund t’ia kthejnë shpinën partisë. Kjo e ka nxjerrë nga takti Gruevskin, i cili në kulmin e debatit, njërit prej kryetarëve të rebeluar i është drejtuar me fjalët se, më lojale ndaj VMRO-DPMNE-së është BDI-ja dhe Ali Ahmeti, se sa kryetari i Degës në fjalë dhe Dega e tij.