Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit po shqetësojnë banorët e vendeve të përmbytura, veçanërisht ata që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Disa nga ato familje madje nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve.

“Prej vërshimeve që ishin nuk kanë dhënë as avans, as kurgjë tjetër. Vetëm 50 euro dhe ato të Kryqit, të tjera nuk kanë dhënë..Ndihmë prej shtetit nuk kam asgjë hiç, krejt vet”, tha një banor i Hasanbegut.

“Komisioni ka qenë, i ka shënuar të gjitha po nuk na kanë dhënë kurrgjë kompensim,as ato 500 euro e asgjë tjetër”, u shpreh Naser Aliu, banor i Hasanbegut.

“Vëllai nuk ka marr asgjë, ai as prej Kryqit të Kuq nuk ka marrë, as ato 50 euro, e as paratë e kompensimit. Bile ai më shumë e ka të shkatërruar shtëpinë, nuk i kanë dhënë asgjë”, theksoi Jonuz Rushiti, banor i Hasanbegut.

Ndërsa banorë të tjerë të cilët kanë filluar me renovimin e shtëpive thonë se shuma e caktuar e kompozimit nuk mbulon as gjysmën e nevojave për një shtëpi.

“Ja kam nis me punuar, ato para që i morëm edhe i harxhuam. Hala nuk është bërë me u kthy, duhet ta vendosim murin e oborrit, kjo me kushtoi afër 1 mijë euro”, deklaroi Nazif Rushiti, banor i Hasanbegut.

Nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve thonë se për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë shumë familje kanë hasur në pengesa dhe nuk kanë arritur të marrin kompensimet e caktuara. Nga atje thonë se nga fundi i nëntorit pritet të fillojë kompensimi i dëmeve bujqësore.Alsat-M