Lider i korruptuar që përdorë nacionalizmin e rrejshëm për të manipuluar masën. Kështu gazetari dhe publicisti kosovar Baton Haxhiu e cilësoi kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, gjatë një debati të titulluar ”Tranzicioni i pakufishëm në Maqedoni”, i zhvilluar mbrëmë në Shkup. Ai Ahmetin e cilësoi edhe si një hero aksidental, i cili nuk fiton dot një betejë politike pasi ka pranuar rolin e të sunduarit nga partneri i tij maqedonas.

“Ju e fitoni betejën kur realisht e respektoni njeriun, njeriu është ai që e ndryshon, njeriu kur e krijon mirëqenien edhe dijen, bëhet nacionalist në kuptimin e mirë të fjalës, nuk mundet mu bo nacionalist njeriu i korruptuar, harrojeni, nuk mundet me fituar betejën njeriu i cili vret, se ka ndërgjegje të vrarë, dhe nuk mundet me qenë nacionalist dhe me  fituar betejën njeriu që është i sunduar”, tha publicisti Baton Haxhiu.

Ai më tej shtoi se sundimi i madh nga ana e kryeministrit Gruevski, është sistem i kapjes së shtetit, i cili vendos kthetrat mbi administratën, dhe ky sistem sipas tij, kërkon një të sunduar që të sundojë pjesën shqiptare të shoqërisë, me qëllim që mos t’ia prish rehatinë maqedonasit. Sipas tij, Gruevski e ka gjetur njeriun e duhur në Ali Ahmetin.

“Çka e bën të lumtur një pushtet në Maqedoni, ta ketë një lider si Ali Ahmeti, dhe nuk ka referencë më të mirë për ta, se sa një njeri që kujtesën e vetpolitike e kthen në pikën ku ka nisur, kur kanë kërkuar azil, dhe mbi pikën e azilit dhe ikjes, e ndërton një perandori të sundimit, dhe kjo është e pafalshme. Është e pafalshme për juve qytetarë të Maqedonisë, që i sunduari sundon mbi diçka të pamerituar. Si është e mundur që jetojmë brenda një dizajni europian me koncept feudal, a e keni pyet veten ndonjëherë, si është e mundur që na durojmë njerëz që i kanë krejt 300 fjali, brenda fjalorit vet dhe na sundon, me çka e kemi merituar ne këtë gjë”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu tha gjithashtu se shoqëria në Maqedoni po përballet edhe me mungesën e lirisë së shprehjes, pasi ka pak media të lira. Ndërkaq, porosia e tij në këtë debat ishte: “Mos ju besoni liderëve, besoni në lidership, sepse lideri është mëkatarë, ndërsa lidershipi bën betejë për të gjithëve juve. Mëkatarët gjithmonë përfundojnë keq, por ne jetojmë keq, derisa ata të përfundojnë”.

Këto komente, publicisti Baton Haxhiu i bëri gjatë debatit të organizuar nga Qendra për Demokraci dhe zhvillim, në kuadër të projektit “Shkolla për Lidership”.

baton