Ejup-Ajdini-250x127Shkruan:Ejup Ajdini

 

Profesor Ali  Vishko dikur thoshte : “Ditën mbylle gojën, natën mbylle derën, se ka ardhur koha e rezilëve .“

Si  u  zhbë njeriu i kësaj kohe?! Sa ndryshoi nga ai që ishte dikur?! Kudo që të kërkosh drejtësi, në çdo institucion apo në cilën do zyrë, përgjigjen e parë e ke: – Shko ankohu! -Po ku të ankohem? – Ku të duash ankohu, – e ke përgjigjen e dytë! Ankohu!… Po ku të ankohesh, pasi askund nuk ke vend për ankesë! Kjo filozofi e mbrapshtë, ku “qeni nuk e njeh të zotin e tij”, është shndërruar në një lloj sëmundje, në një epidemi të llojit të vet, e cila  na tregon se jemi shoqëri pa  perspektivë e që jetojmë në një atmosferë të çekuilibruar, pasi nuk ndjejmë dashuri dhe përgjegjësi ndaj punës  dhe nuk jemi mirënjohës ndaj njëri tjetrit. Dikur mirënjohja ishte nga vlerat dhe vërtitet  më të spikatura të shoqërisë shqiptare, kurse mosmirënjohja llogaritej e barabartë me tradhtinë.Kkjo tregon se shoqëria e jonë  nuk tregohet falënderuese për vlerat tona tradicionale, përkundrazi po orientohet drejtë antivlerave, drejtë rrëmujës  dhe më e keqja është se lehtas po përshtatemi me këtë atmosferë të çekuilibruar, ku nuk i njohim përgjegjësitë  në vendin e punës dhe as mirësitë që kemi nga shoqëria dhe rrethi ku jetojmë.

Rri e mendohem se sa shpejtë rrëshqitën trajtat e njeriut tonë!… Shtrohet pyetja: Pse njeriu në kohën e komunizmit ishte soj tjetër dhe i njëjti njeri në demokraci më del tjetër  soj dhe kush e di se në ndonjë sistem tjetër,  ky njeri çfarë soji do të bëhet dhe çfarë trajte do ketë?!… Ky soji i njeriut të  sodit na del më i keq se i djeshmi. Ndoshta njeriu ndërron sipas ndryshimit të sistemeve! Nëse është kështu, atëherë njeriu a duhet të jetë vetvetja, apo duhet të jetë sistemi?!  Dikur ndjehej njëfarë hierarkie, kurse sot, “qeni e han të zotin e shtëpisë”!…Jam munduar që ta zbërthej këtë fenomen, por assesi  t’ia gjej fundin. Jam konsultuar me shumë libra e shkrime, me  shumë njerëz, por gjithmonë paqartësi!… Të gjithë njerëzit e mençur rrudhin krahët, të gjithë mendohen, të gjithë heshtin…Çudi!Siç duket kemi lëndime të thella emocionale, e cila është shndërruar në sëmundje të pashërueshme.  Shkenca ka vërtetuar se sëmundja nuk mund të jetojë në një trup që është në gjendje të shëndetshme emocionale. Ruana zot, nëse rezillëku politik na ka sëmurë edhe në shëndetin emocional, atëherë ku do ta gjejmë shpëtimin?…

Kjo filozofi e të jetuarit në Maqedoni e më gjerë, si “dhuratë”  na ka sjellë heshtjen, e cila më ka nxitur të mendoj vazhdimisht. Pse heshtim?! Edhe unë rri i heshtur në cakun tim të mjerë, pasi nuk e kam grushtin e fortë që kërkonte dikur  poeti. Kërkoj në thellësinë e shpirtit këngët e pa kënduara që do të mi  zgjoj një forcë absolute, apo një mrekulli kohe dhe të njëjtat të lindin si forcë protestuese ndaj rezilëve politik. Çdo politikë e ardhur në mjediset tona, si “dhuratë” popullit i ka sjellë robërinë. Në çdo fillim, politikat kanë “shkëlqyer”, por më vonë, të gjitha premtimet u shndërruan në rezillëk politik. Për këtë edhe protestojnë popujt e mençur, të cilët janë me përvoja të gjata në demokraci.

Unë dua të protestoj vetëm për një arsye ?! Pse nuk më udhëheq Sokrati i vuajtur?! Unë dua të më udhëheq Sokrati,  e jo derrat e kënaqur! Sikur kjo është kotësia e filozofisë sime dhe për këtë sikur më kanë bindur miqtë dhe librat. Kjo do jetë kotësia e protestës sime, pasi ku ta gjejmë Sokratin? Nuk gjendet ai. Derrat ia kanë prishur shtratin kësaj rruge qëmoti dhe kjo na ka bërë të gjithëve që të heshtin dhe në heshtje të qajmë, të qeshim dhe të vdesim. Kjo rrugë nuk gjendet, veçmas në Ballkan, prandaj qetësohu,  më thonë miq e dashamirë… Por, si të rish i qetë, kur në heshtje veprojnë mendimet…Ato vijnë varg e vijë…Patjetër të pyes: Ku shkuan idealet, ku shkuan shpresat, ku humbën ëndrrat, ku shkoi krenaria e humbur?!… Më sillen vërdallë aktivitetet pa numër gjatë dekadave, gëzimet, hidhërimet, dështimet, fitoret e brishta, mallëngjimet e çka jo…  Çka u bë me këtë tranzicion i stërzgjatur,  që shtetin e ka pru në ”trans”… Pastaj, a ka vend tjetër ku rrenat shndërrohen në institucione politike e shtetërore… Mbi të gjitha mendohem për heshtjen e popullit, që dikur protestonte nëpër plumba e nëpër tyta. E  sot…sot si protestë më të fuqishme e ka zgjedhur heshtjen!…

Tani më heshtim të gjithë, e kush nuk heshtën… heshtin bura, heshtin gra…heshtën edhe opozita! Dëgjohet aty këtu ndonjë zë protestues, por pa i varur veshin njeri…Sikur njerëzit janë bërë imun, sikur ashtu duhet të ndërtohet kjo shoqëri, sikur të gjithë frikohen nga qentë, sikur të gjithëve u mungon nga një qen, që t’i mbrojë nga qentë…Sa keq o Zot! Do të shndërrohemi në shoqëri  “qençe”! Po, patjetër. Patjetër… kështu forcohet rrethi i qenve! Që të ndjehesh më i sigurt patjetër të lakmosh, të ruash, apo të ushqesh një qen, që mos të të vërsulen qentë tjerë. Kësisoj do kujtoje bota se ty je i mbrojtur nga qentë dhe krijohet bindja se edhe ty je në “Partinë e qenve”. Kjo dëshmon se kësisoj vjen në shprehje filozofia e të jetuarit qençe.

Pra, kjo është filozofia e heshtjes sonë. Tanimë heshtim edhe ndaj aferave më të mëdha e të rënda. Heshtim edhe ndaj helmimit të ajrit, heshtin ndaj standardi të ulët jetësor, heshtim ndaj migrimit të popullsisë, heshtin edhe ndaj politikanëve të rrejshëm, heshtim para hajdutëve të votës së lirë, ndaj keqtrajtimit të pacientëve nëpër spitalet tona, heshtim e dhe ndaj presidentit kur i falë fajtorët dhe jo të pafajshmit që dergjen nëpër burgje të kota dhe kësisoj e len popullin në vuajtje e mjerim….Heshtim ndaj mbisundimit të antivlerave…heshtim edhe kur pushteti krijon skenarë tragjikomike ndaj popullatës dhe luan “valle“ mbi kufoma të pafajshme,  heshtim për keqpërdorimin shtetëror të parave të mbledhura nga tagrapaguesit, heshtim për gjithçka, heshtim dhe vetëm heshtim…

Deri kurë do të heshtim?! Kurë do të arrijmë që heshtjen ta shndërrojmë në protestë dhe  protestën ta bëjmë normë shoqërore, morale dhe filozofi të jetës sonë shoqërore e politike, siç e bënë bota e civilizuar?! Kurë do ta kuptojmë se protesta është vlerë dhe obligim moral i secilit qytetar,  e jo heshtja. Heshtja është jo vetëm antivlerë, por edhe qyqarllëk, apo një servilizëm llojit të vet. Protesta është dhe do mbetet përgjithmonë vlerë e përgjithshme qytetare, e cila tregon një normë morale, një ngritje të vetëdijes kolektive dhe me një fjalë është koncept i të të menduarit qytetar, me  të cilën tregojmë se nuk jemi indiferent ndaj të shëmtuarës, tragjikes, antivlerave, padrejtësisë dhe se ne posedojmë vlera civilizuese evropiane. Protesta e moderuar patjetër duhet bërë një normë popullore dhe intelektuale ndaj çdo padrejtësie, qoftë politike, ekonomike, ekologjike, sociale, kulturore etj. Protestat me koncepte të mirëfillta qytetare tregojnë jo vetëm një normë shoqërore, por edhe nivelin e vlerave etike dhe estetike të një kolektiviteti. Kjo të çon drejt një vargu poetik të Azem Shkrelit, i cili që moti ngriti zërin protestues: ” Koha jonë s’gucon të kohosh pa ne.”

Protestat me koncepte qytetare janë të domosdoshme për shtetin dhe duhet bërë normë shoqërore, pasi jo të gjitha pushtetet vetvetiu janë të drejta dhe të ndërgjegjshme për punët e shëmtuara që bëjnë. Shumë nga këto pushtete kanë nevojë për protestat e qytetarëve, pasi përmes tyre ua kujtojnë detyrat dhe obligimet që kanë ndaj popullit… Ua rikujtojnë përgjegjësinë morale dhe pulitke. Ua bëjnë me dije se, pse populli i ka ngarkuar dhe obliguar në ato vende udhëheqëse?!… Ua rikujtojnë që t’u rikthehen vlerave të mirëfillta udhëheqëse dhe të largohen nga rezillëku politik.

Shumë politika partiake dëshirojnë që në shoqëritë që udhëheqin ata të mbisundojë koncepti politik partiak e jo ai qytetar, pa e ditur se, pa ballafaqimin e koncepteve qytetare me ato partiake nuk ka demokraci të mirëfilltë. Lufta midis këtyre dy koncepteve duhet të jetë e gjallë dhe atraktive, pasi vetëm përmes kësaj lufte u ndërpritet partive politike zullumi i tepruar dhe rritja e burokracisë  politike brenda një shoqërie. Në të kundërtën, përmes heshtjes së qytetarëve, i jepet hapësirë së keqes dhe kësisoj lind dhe shpërthen rezillëku politik. Fundja, le të mendojnë si të duan rezilët politik, por një gjë dihet, se me luftën e koncepteve përparimtare të shoqërisë civile, rezilët politik detyrohen të ikin dhe të shkojnë  aty ku e kanë vendin.  Në të kundërtën, pa rezistencën e koncepteve të pastra qytetare, rezilët politik ushqehen me të keqen dhe nuk e dinë se për çdo gjë ka limite të caktuara. Rezilët politik s’kanë limite ndaj të keqes. Ata s’e kanë dert se shkelin mbi popullin e pafajshëm dhe pa fije turpi merren me fatin  e popullit, duke i krijuar vetëm vuajtje, tragjedi dhe duke tentuar ta lënë pa dinjitet, gjithmonë të varur nga partitë politike dhe pa ndjenjën dhe konceptin e mendimit të lirë qytetarë.

Ndonjëherë edhe heshtja ka filozofinë e vet, por, kur heshtën edhe opozita politike, heshti edhe unë, heshtësh edhe ty, heshtim të gjithë, atëherë kjo filozofi duhet zbërthyer dhe duhet pyetur pse heshtim të gjithë dhe deri kurë do të zgjas kjo anomali, kjo heshtje e jona shoqërore, pasi çdo gjë ka fillimin dhe mbarimin e vet.