Zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hojt Brajan Ji, i cili është për vizitë dyditore në Maqedoni, sot duhet t’i vazhdojë takimet me kreun shtetëror dhe me liderët e partive politike të përfaqësuara në parlament.

Ji duhet të takohet me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, me liderët e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, të LSDM-së Zoran Zaev, si dhe me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Diplomati amerikan dje u takua me liderët e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Takimi i parë ishte me përfaqësuesit e udhëheqësisë partiake të Aleancës së shqiptarëve, Arben Taravari dhe Vesel Mehmedi. Më pas Hojt Ji u takua me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, me liderin e BDI- së Ali Ahmeti dhe bashkëpartiakët e tij Teuta Arifi dhe Artan Grubi, si dhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Pas takimit me Ji, Ahmeti deklaroi se zgjedhja e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është legjitim dhe për këtë e ka mbështetjen e SHBA-së.

Sipas paralajmërimeve të Ambasadës, tema të bisedimeve do të jenë statusi i formimit të qeverisë, marrëdhëniet bilaterale dhe reformat e nevojshme për integrimin euroatlantik.