Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë në Parlamentin Evropian se Kosova do t’i përmbush të gjitha obligimet e marra.

“Më 2015 kemi nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta respektojmë plotësisht. Po punojmë që të arrihet marrëveshja ligjore obligative ku përfshihet edhe marrëveshja për ASK. Për pretendimet financiare do t’i adresojmë në muajt e ardhshëm duke filluar nga suksesioni, reparacionet e luftës… Janë çështje shumë me rëndësi për normalizim të raporteve”, ka thënë Hoti.
“Sa i përket Dhomave të Specializuara, më lejoni të them se mbështesim obligimet që kemi marrë. I konsiderojmë këto dhoma si të BE-së, por janë pjesë e Kushtetutës tonë dhe sistemit tonë ligjor dhe do ta respektojmë plotësisht këtë. Ne jemi për sundim të ligjit dhe pavarësinë e institucioneve të ligjit”.

Hoti para deputetëve evropiane është shprehur se nuk sheh arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja.

“Jemi në një koalicion me shumicë të përgjithshme. Stabiliteti nuk varet shumë nga numrat por kohezionin e partnerëve të koalicionit. Kemi çështje të brendshme si partnerë por nuk shoh arsye që kjo Qeveri të mos vazhdojë. Jemi të angazhuar që të gjejmë zgjidhje finale me Serbinë”.

“Kërkoj mbështetje të plotë nga ju në këtë proces që është i rëndësishëm për ne, Serbinë dhe BE-në në tërësi. Aq më shpejt që përmbyllet marrëveshja do të jetë më mirë për rajonin dhe BE-në. Jemi vend pro BE”.