Shkruan: Ilir Ajdini

Blerim Reka thirri ata që e votuan në rrethin e parë të zgjedhjeve që të dalin masovikisht të votojnë në rrethin e dytë. Bile tregoi edhe për cilin opsion duhet votuar, për të mirën e të gjithëve, e në radhë të parë të shqiptarëve. Po të mos e kishte bërë këtë thirrje, rezultati i votimit të sotëm sigurisht s’do të ishte ky që doli.

Janë dy epilogje tjera të mundshme: Ose s’do të arrihej censusi, ose do të fitonte kandidatja e vmro-së, partisë që s’arrin të shkëputet nga fashizmi dhe nga metodat kriminele të hajdutit-diktator Gruevski. S’besoj se një përfundim i tillë do t’u pëlqente shqiptarëve në Maqedoni… Të paktën jo shumicës dërrmuese (ndoshta ndonjë klani partiak… këtë s’mund ta them me siguri!) – se tipa me teori të “interesave të larta kombëtare” gjithmonë do të gjesh ndër shqiptarët, gjithandej.

Sidoqoftë, lidhur me gjithë këtë situtë desha të përkujtoj se partitë shqiptare që e përkrahën zotin Reka në rrethin e parë nuk bënë thirrje për bojkot në rrethin e dytë, që do të thotë përkrahën qëndrimin e kandidatëit pas të cilit qëndruan më 21 prill. Kështu që, nëse liderët e këtyre partive nuk janë parë në vendvotime, kjo nuk do të thotë se anëtarësia e tyre i ka bojkotuar zgjedhjet. Përkundrazi, siç thashë edhe më sipër, pa votat e tyre, të atyre që iu përgjigjën thirrjes së Rekës, sot do të kishim një nga dy rezultatet jo të favorshme – jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për shqiptarët!. Prandaj, pak më shumë kujdes gjatë paraqitjeve publike, sepse – po e përsëris – pa votat e përkrahësve të Blerim Rekës nga sonte do të kishim në situatë shumë tjetër. Ndoshta dikujt do t’i pëlqente një zhvillim i tillë, nuk i di ato “politikat e larta”, por mendoj se për shqiptarët ky rezultat që doli është më i favorshëm.