Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, gjegjësisht e Albin Kurtit në zgjedhjet e gjashtë tetorit, si duket ka marrë vëmendjen e komunitetit të hoxhollarëve në diasporë. Bëhet fjalë për studiuesin e shkencave islame, Ardian Elezi. Imami nga Kosova vepron dhe jeton në Bazel të Zvicrës. Ai së fundmi në profilin e tij në Facebook i ka kushtuar vëmendje fitores së Albin Kurtit.

“Nuk jam avokat i Albin Kurtit, e as i muslimanëve që kanë mendim të mirë për të, por doemos më duhet të sqaroj disave që po nguten, se nuk është mëkat e as keq të lavdërohet një person tjetër, qoftë ai politikan apo diçka tjetër, edhe nëse ai ka bindje të ndryshme fetare nga ne në fjalë edhe nëse është jomusliman. Nuk është keq të përmenden cilësitë e tij të mira, përkundrazi.

Ne në asnjë mënyrë nuk pranojmë që nga mendësia e cekët dhe nga injoranca rreth fesë, rreth të Dërguarit tonë të dashur, rreth jetës dhe sunnetit (rrugës) të tij, të nënvlerësohen, të nënçmohen, të akuzohen ata të cilët ia përmendin cilësitë e mira dhe e vlerësojnë dikë tjetër në përgjithësi, e këtu Albin Kurti në veçanti. (natyrisht në aspekte të caktuara). Ky sqarim shërben si preventivë dhe vlen poashtu për ata që mbajnë mendime negative apo paragjykime ndaj hoxhallarëve në raport me këtë tematik dhe padyshim se do e argumentojmë me lejen e Zotit”, shkruan Elezi ndër të tjera.

Imami Elezi ka tërhequr paralele me shembullin e Muhamedit alejhi selam i cili e ka lavdëruar mbretin e Abisinisë në atë kohë, Nexhashiun. Andaj, ai aludon se ta lavdërosh Kurtin për cilësitë e mira, është standardi dhe peshorja që ka bërë profeti Muhamed.

“Ky pra ishte I Dërguari Allahut (sal Allahu alejhi ue sel-lem), ky është shembulltyra jonë, ky është mostra jonë të cilin duhet ndjekim si musliman.

Pastaj mos të harrojmë një shembull tjetër madhorë, ndoshta shembullin më të famshëm për masën e gjërë; lëvdata e të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue sel-lem) ndaj Nexhashiut, mbretit të Abesinisë së atëhershme i cili ishte asokohe krishter. (Nexhashiu pranoi Islamin më vonë) I Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) e lavdëroi atë duke thënë qartë:”Aty është një mbret tek i cili nuk i bëhet askujt padrejtësi, e ajo është nje tokë e së vërtetës”, shton Elezi.

Më tutje imami shpreson që Albini të fillojë me realizimin e premtimeve të tij, shpresoj të punojë sa më efikas për popullin e Kosovës në fusha të ndryshme me të cilat do i bëjë dobi gjendjes ekonomike, arsimore, shëndetësorë dhe të gjitha fushave tjera të cilat janë në dobi të popullit. Shpresojmë të luftojë sa më efikas korrupsionin, krimin e organizuar, nepotizmin dhe të punojë për parandalimin e dëmit.