Rastet e montuara politike në Maqedoni janë një plagë e pashëruar sidomos për shqiptarët që jetojnë në këto troje. Janë të shumta rastet e montuara gjyqësore me urdhër poltik nga qeveritë e deritanishme. Me qindra vite burg janë shqiptuar ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Shumë prej tyre akom vuajnë dënimet me burgim edhepse të gjithë e dinë se janë të pafajshëm. Rastet si Sopoti, Monstra, Alfa, Kumanova dhe shumë të tjerë klanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien dhe në jetën e shumë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.

Qeveria e kaluar u demaskua përmes të ashtuquajtura “bomba’ që përmbanin biseda të përgjuara telefonike mes funksionerëv shtetëror të qeverisë Gruevski – Ahmeti (VMRO-BDI), ku u kuptuan shumë raste të dënimeve gjyqësore me urdhër politik, përcaktime dhe zgjedhje të gjykatësve dhe prokurorëve nga degët partiake të partive në pushtet. Qeveria Gruevski – Ahmeti u rrëzua më 27 Prill të vitit 2017, për ti hapur rrugën një qeverie të re reformatore, por që brenda saj do të kishte përsëri një pjesë e atij që quhej “ish regjimi”, pra me BDI-në e Ali Ahmetit.

Shpresa se më në fund do të vijë jeta për qytetarët në Maqedoni dhe se më në fund çër shqiptarët Gjyqësori do të jetë i drejtë, u venit qysh në hapat e para të qeverisë së re të kryesuar nga Zoran Zaev. Pas shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm, famëkeq për shqiptarët, Marko Zvërlevski u caktua një tjetër Kryeprokuror që do të duhej të reformojë apo të nisë procesin reformues të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Kryeprokurorin, Lubomir Jovevski, i cili që në hapat e para të punës, shkaktoi protestat e para në shtet kundër qeverisë së re reformatore. Nën drejtimin e tij, rasti i vrasjes së një djaloshi shqiptar 4 vjeçar, nga një sërb nga Kumanova, u ndryshua dhe u rikualifikua, ku tani nga akuza për vrasje u kthye në akuzë për aksident komunikacioni edhepse nga pamjet e inçizuara të momentit, u pa nga çdokush se ishte një vrasje e pastër, e pamëshirshme dhe e qëllimshme.

“Vrasësi” u dënua vetëm me 6 vite burgim. Më vonë gjatë fushatës për referendum nga mediat u zbulua se babai i vrasësit, Boban Iliq, ishte anëtar i partisë në pushtet, LSDM-së së kryeministrit Zaev, ku shpesh shihej në fotografi pranë Zaevit apo edhe pranë Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskit.
Dyshimet për korrupcion dhe montim rastesh gjyqësore i theksoi edhe gazetari investigativ maqedonas, Zoran Bozhinovski, që është njëri ndër gazetarët e përndjekur dhe burgosur nga ish regjimi i Gruevskit dhe Ahmetit. Bozhinovski në një shkrim të tijin tregoi se zëvendës ministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski bashkë me ortakun e tij, siç e quan ai “avokatin e djallit’, Mirosllav Vujiç, kanë biznes të përbashkët dhe për çdo ditë po ushtrojnë reket ndaj personave të ndryshëm, zakonisht të atyre që kanë probleme me drejtësinë dhe ligjin.

“Mëngjesi në Ministrinë e Drejtësisë fillon me kafe mes zëvendës ministrit Oliver Ristovksi me avokatin e djallit Miki (Mirosllav) Vujiç. Kanë kompani të përbashkët avokatie, e specializuar për reketim, kështu që prej herët në mëngjes i ndajnë paratë e reketimit të mbrëmjes paraprake dhe merren vesh për viktimat e ditës së re të punës. Kush ka paguar, kush nuk ka paguar, kush duhet të “leckoset”?! Të armatosur janë me atë të famshmen dhe shumë të dëgjuarën “fjala është fjalë” të kryeministrit Zaev! Kjo ua hap dyert e arta tek viktimat”- shkruan Zoran Bozhinovski.
Avokati Vujiç njihet për afërsinë e tij me LSDM-në e Zoran Zaevit, ndërsa qeveria e këtij të fundit për punën e bërë ndër vite e shpërbleu avokatin duke e vendosur në Bordin e Drejtorëve të Telekomit.

Nga burime tona mësojmë se Vujiç është shumë i afërt edhe me Oliver Spasovskin, Ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ndërsa ky i fundit ka afërsi të dëshmuar prej vitesh me Kryeprokurorin, Ljubomir Jovevski. I gjithë ky zinxhir dhe lidhje mes funksionerëve të qeverisë dhe gjyqësisë, sipas portalit Burevesnik paraqet edhe njërin ndër rrjetet e korrupcionit masiv dhe montimit të rasteve të ndryshme që kanë të bëjnë me gjyqësinë.
Për hir të së vërtetës, kjo qeveri aktuale mes LSDM-së dhe BDI-së, njihet për njërin ndër rastet më të rëndë të montuar politik, atë të Sopotit, gjatë qeverisjes së parë të tyre në vitet 2002-2006. Atëkohë, shqiptarë të pafajshëm nga Sopoti u dënuan me burgim të përjetshëm dhe qëndruan në burg për mbi 10 vite, që më pas të shpallen të pafajshëm. Për të qënë e keqja më e madhe, atyre iu refuzua edhe kërkesa për dëmshpërmblim, pikërisht nga kjo qeveri përmes Ministrisë së Drejtësisë, ku zëvendës dhe njëri ndër personat kyç është Oliver Ristovski, ortaku i avokatit Mirosllav Vujiç.

A do të duhet të presim rastin e radhës të montuar ndaj shqiptarëve, apo më në fund kjo qeveri do të vendosë të futet në rrugën e drejtë dhe të nisë reformat e shumëkërkuara në DREJTËSI?!/Infomagazin.net

Për linkun e origjinalit kliko KËTU