Sikurse arratisjet e tij nga turqët dhe serbët, edhe ngjarja e sotme e vendosjes së statujës së heroit kombëtar Isa Boletinit, në Saraj të Shkupit është kthyer tashmë në një përrallë të vërtetë. Statuja e figurës legjendare të bacës Isë, e vendosur sot nga BDI, sikur flet në heshtje për nënçmimin që Ali Ahmeti i bën Isa Boletinit. Së pari me partizimin e figurës historike, nëpërmjet një ngjarjeje ku nuk morrën pjesë zyrtar shqiptar nga të gjitha trojet, ashtu siç Isa e shihte të bashkuar Shqipërinë, së dyti nënçmimi me vendosjen e shtatores në një skaj të Shkupit dhe jo në kryeqendër, aty ku e ka edhe vendin ky luftëtar i pamposhtur. Sikur të “zgjohej” , Isa do të pështynte në ballë Ali Ahmetin dhe të gjithë ata që partizuan sot një kauzë jetësore kombëtare, duke luajtur politikisht me bëmat e tij. Do të pështynte në ballë të gjithë këta zyrtarë që vendosën Isën në skajin e Shkupit nga ku ai do të shohë nga afër vuajtjet e shqiptarëve në këto troje. Do të shohë shpesh lotin e nënave shqiptare që nuk kanë bukë në sofrën e tyre, lotët e invalidëve të luftës që nuk kanë të veshin e mbathin fëmijët e tyre dhe lotët e luftëtarëve që dergjen burgjeve famëkeqe të Maqedonisë, do të shohë montimin e rasteve të aksioneve spektakolare prej nga buron mllefi i këtij shteti ndaj shqiptarëve. Isa nga aty do të shikojë diskriminimin shqiptar, varfërinë dhe papërspektivën shqiptare, ndërsa karshi do të ketë pjesën tjetër të Shkupit ku mbisundon një jetë krejtësisht tjetër. Isa sot,  pa dhe dëgjoi gënjeshtrat e atij që është më përgjegjës për gjendjen e sotme shqiptare, të Ali Ahmetit që premtoi shumë e solli vetëm mjerim për shqiptarët. Prandaj Isa do të pështynte në ballë këtë “kryetar mjerimesh” (kryetarin e BDI-së) dhe do ti thoshte që do të jetë pjesë e zezë e historisë kombëtare kurdo që të shkruhet ajo./fol.mk