Të paktën 126 persona janë zhdukur pas fundosjes së një varke e cila transportonte emigrantë nga Libia në Itali përmes Detit Mesdhe. Organizata Ndërkombëtare për Emigrimin deklaroi se ekipet e shpëtimit në vendin e fatkeqësisë kanë gjetur dhe shpëtuar 4 persona. Duke cituar deklaratat e të mbijetuarve, autoritetet italiane thonë se emigrantët e zhdukur janë me origjinë nga Nigeria dhe Sudani. Tragjedia ndodh pikerisht ne diten boterore te refugjateve. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigrim thotë se në katër muajt e parë të këtij viti përmes detit Mesdhe në Evropë kanë mbërritur mbi 44 mijë emigrantë dhe refugjatë. Numri më i madh i tyre vjen nga Italia, Greqia, Qiproja dhe Spanja. Për të njëjten periudhë, numri i viktimave në det ka arritur në 970 persona. Në ditën botërore të refugjatëve, OKB-ja bën thirrje që bota ta kthejë vëmendjen te miliona familje që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve. Në raportin vjetor theksohet se 65.6 milionë njerëz në botë janë refugjatë, azilkërkues ose të zhvendosur brenda vendeve të tyre.