Kandidati për kryeministër, Albin Kurti në lidhje me tendencën e LDK-së për mosbashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje nëpërmjet rrejtit social fejsbuk ka shprehur se kjo nënkupton shkuarje në opozitë për LDK-në dhe heqje dorë nga rrëzimi i Klanit Pronti.

“Që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbetet në opozitë, ky nuk është opcion. Mbetja në opozitë e LDK-së dhe mosbashkëpunimi me LV-në, do të thotë thjesht se LDK-ja po heq dorë nga synimi për largimin e Klanit Pronto nga pushteti, e kjo dorëheqje nuk i duhet as vendit e as popullit. Kur ndokush nga zyrtarët e lartë të LDK-së thotë se duan të jenë në opozitë, ata kësisoj vetëm sa inkurajojnë disa deputetë të koalicionit të saj (të cilëve ndoshta fort vështirë u qëndrohet në opozitë) që të shkojnë te PAN-i. Nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre por e këtillë është pasoja. Njëkohësisht, nuk është korrekte që LDK ta konsiderojë veten po aq larg nga LV-ja sa nga PDK-ja, nëse beson atë që e thotë vetë, pra se shteti i Kosovës vazhdon të jetë shtet i kapur. Le të mos harrojmë që pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 ne si LV nuk ishim të kënaqur me vendin e tretë, megjithatë u bashkuam në front me koalicionin e atëhershëm LAN kundër regjimit të PDK-së dhe për ndryshimin e kursit të shtetit. Prandaj edhe sot, koalicioni i LDK-së me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi le të mos jenë shumë të zhgënjyer me vendin e tretë, por t’i kthehen përpjekjes për t’i dhënë fund Klanit Pronto. Duket se edhe në elektoratin e LDK-së ka ndodhur një zgjim: vota e tyre e theksuar për kandidatët që janë shquar me qëndrime kundër Klanit Pronto e ka dhënë porosinë e qartë se si LDK-ja duhet të përcaktohet dhe ia ka vizatuar asaj rrugën që duhet ta ndjekë”, shkruan ndër të tjerash Kurti.