Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion e shqyrton përfshirjen e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe këshilltarit për siguri në kabinetin e tij Sinisha Aleksovski dhe të spiunit serb Goran Zhivaleviq mbi sulmin e përgjakshëm në Kuvend me 27 prill, transmeton FLAKA.

Këto ditë kabineti i Ivanovit u konfrontua me Zhivaleviqin, i cili pohonte se ka pasur leje për qëndrim në Kuvend të enjten e përgjakshme dhe se kjo nuk ka qenë sekret ose gjë për qëllime të këqija.

Spiuni serb Zhivaleviq të mërkurën deklaroi se ka qenë i pranishëm në Kuvend me 27 prill me leje nga Kabineti i Ivanovit, më saktë nga këshilltari për siguri të presidentit Sinisha Aleksovski.

Kabineti i Ivanovit po të njëjtën ditë njoftoi se shërbimet e Maqedonisë nuk kanë kërkuar shërbime nga ai. U përgjigjën se Zhivalelviq pas mbarimit të veprimeve dhe aktiviteteve në Kuvend, ka dërguar mesazh deri te persona të punësuar në institucione, mesin e të cilëve dhe deri te këshilltari Sinisha Aleksovski se ai ka qenë në Kuvend, por “me qëllim të sigurojë alibi dhe ta zvogëlojë përgjegjësinë për veprimin e vet”.

Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov e përshëndet interesin e prokurorisë publike mbi ndodhitë në Kuvend më 27 prill, sepse, thonë nga atje, duhet të konfirmohen faktet dhe e vërteta, në vend që të përhapen informata dhe lajme të rrejshme.