Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, të cilin partia e mbajte gati fshehur gjatë fushatës zgjedhore për shkak të politikave të tij të suksesshme 12 vje;are si kryetar i Çairit, ka kopjuar kryetarin e RDK-së, Vesel Memedi, në akuzat drejtuar Aleancës me Besë.

Memedi në një emision debativ në TV24 ka deklaruar se Ziadin Sela ka tradhtuar koalicionin Aleanca për Shqiptarët në të cilin LRPDSH ishte bashkë me RDK-në dhe Unktetin, duke përvetësuar edhe emrin dhe logon e koalicionit, shkruan Fakte. Memedi ka deklaruar se Sela tani në të njëjtën mënyrë po tradhton edhe koalicionin e shumicës parlamentare, koalicionin e qeverisë së re reformiste, duke bashkëpunuar me Besën opozitare dhe me VMRO-në.

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti madje në qëndrimin e tij në Click Plus ka thënë se koalicioni i ASH-së me BESËN i çon në bllokun me VMRO-në, duke iu drejtuar përfaqësuesit të partisë së Selës, mbi pozicionin konfuz në qeveri.

“Lëvizja BESA nuk kam dilemë dhe kjo ju detyron edhe juve të jeni në atë koalicion. Votat në qytetin e Shkupit në shërbim të kujt ishin, kur kishte kandidat edhe nga BESA dhe ASH? Dallimin e ka bërë votuesi i VMRO-së apo shkrirjen në Tetovë, po ashtu edhe në Çair. Tendencat janë të qarta që e nxjerrin bashkëpunimin e këtillë, ndodhi që ajo të jetë jo drejtpërdrejtë me ASH-së, por indirekt e BESËS me VMRO-në”, ka thënë Mexhiti, transmeton Aktuale.mk.