Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përsëri ndryshon qëndrimin e tij. Për të disatën herë ai tejkalon të gjitha qëndrimet e mëparshme, kësaj radhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuar për më 24 prill. Deklarata e djeshme se zgjedhjet mund edhe të shtyhen nëse për këtë arrihet koncenzus mes të gjitha partive, vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill dhe ato nuk guxojnë të shtyhen. Qëndrimin e tij Ahmeti e pati arsyetuar në disa mënyra duke mos kursyen këtu edhe destabilizimin e vendit, fenë dhe shumë arsye të tjera.  Në fund i shkeli të gjitha këto të cilat ai i quante të pashkelshme.
“Ne vlerësojmë se çdo tendencë për të lënduar marrëveshjen e 2 Qershorit të arritur mes katër forcave politike, BE-së dhe SHBA-së është shkatërrim, minim i Marrëveshjes së 2 Qershorit. Prandaj zgjedhjet e 24 prillit assesi, jo vetëm të shtyhen, por edhe nuk duhet të mendohen që ato të shtyhen, sepse shtyerja e zgjedhjeve të 24 prillit do të thotë të vazhdosh t’i hedhin zjarrit benzin”, pati deklaruar kreu i BDI-së, më datë 27.12.2015 në Kërçovë.
Në muajin e parë të këtij viti Ahmeti u shpreh optimist se opozita do të reflektojë dhe do t’i bindet 24 prillit.
“Kjo datë është vendosur në Qershor, korrik të vitit që lam pas dhe ne kemi insistuar që kjo marrëveshje të mos cenohet, kjo marrëveshje të respektohet prej gjitha palëve nënshkruese dhe akoma mendojmë që ka hapsirë, ka vend që të gjitha palët që mendojnë që nuk është datë e qëlluar të reflektojnë dhe të respektojnë marrëveshjen e arritur dhe të dakorduar mes katër partive politike dhe faktorit ndërkombëtarë”, ka deklaruar Ahmeti me datë 16.01.2016.
Kulmi i vendosmërisë së Ahmetit që u diskutua një kohë të gjatë edhe në opinion ishte arsyetimi se zgjedhjet nuk guxojnë të mbahen gjatë muajit të Ramazanit. Por edhe për këtë pikë tani Ahmeti la vend për kompromis.

 “Sigurisht që ne nuk mund të pranojmë një datë sepse pjesa dërmuese e elektoratit tonë dhe ne vetë, BDI i përkasim një komuniteti që respektojmë agjërimin. Kështu që argumentet tona ne i kemi paraqitur në rrugë shumë të arsyeshme se përse zgjedhjet duhet të bëhen më 24 prill dhe datë e dakorduar nga të gjitha palët dhe e arsyetuar”, pati deklaruar Ali Ahmeti me datë 30.01.2016.
24 prillin kreu i BDI-së së fundmi filloi ta mbrojë edhe me kërcënime se mund të përdor veto nëse opozita insiston në një datë tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve.
“24 prilli, nëse dikush ka të drejtë ta kontestojë dhe ta ndryshojë apo të ndodhë veto, përse atëherë BDI-së ti mohohet e drejta e vetos? Dhe ne nuk pajtohemi të ndryshohet 24 prilli sepse duam që marrëveshja të funksionojë, sepse duam që të instalohet një kulturë e respektimit të atyre konventave që nënshkruhen dhe dakordohen prej palëve që negociojnë”, kishte thënë Ahmeti me datë 06.02.2016.
Por pas takimit të djeshëm me ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli, Ahmeti doli me fjalë krejtësisht të tjera nga ato që dëgjuam deri më tani. Tani zgjedhjet mund edhe të shtyhen.
“Me rëndësi është që Marrëveshja e arritur nuk mund të cënohet pa pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Duhet koncensus, siç është arritur me koncensus dhe nëse dikush mendon se duhet të ndryshohet po ashtu me koncensus mund të ndryshohet”, u shpreh gjatë ditës së djeshme Ali Ahmeti.
Përveç kësaj, kreu i BDI-së nuk dha ndonjë arsye përse ka ndryshuar qëndrimin e tij. Kjo nuk është hera e parë që Ahmeti ndërron mendjen. Më parë ai ishte edhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duke thënë se kriza do zgjidhje dhe jo zgjedhje.