Edhe përkundër faktit se në fillim u paraqitën probleme që zgjatën disa ditë dhe procesi zhvillohej me ndërprerje, drejtori i Entit për Statistikë, Apostoll Simovski thotë se regjistrimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë ngecje. Shton se përpiqen që t’i bindin qytetarët që refuzojnë të regjistrohen, pa shqiptuar dënime.

“Atje ku ka refuzim nga ana e qytetarëve, shkojmë sërish dhe bisedojmë me ta. Shkon instruktori ynë shtetëror, shkon një anëtar i Komisionit të Regjistrimit dhe praktika e deritanishme ishte që t’i bindin këta qytetarë që të regjistrohen. Ende nuk zbatojmë sanksione dhe shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë deri në fund të regjistrimit, gjegjësisht se do të arrijmë t’i bindim këta njerëz se propaganda kundër zbatimit të regjistrimit janë dezinformata dhe se qëllimi është krejtësisht tjetër”, tha Apostoll Simovski – Drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Por çfarë ndodh në raste kur regjistruesit nuk gjejnë ndonjë person në shtëpi dhe a mund ta regjistrojë atë dikush nga familja e tij?

“Nuk mund të presim të gjithë anëtarët e familjes të jenë në shtëpi. Por, regjistrim pa një dokument nuk mund të bëhet. Domethënë, çelësi që çdo person të regjistrohet është numri i tij amë. Kështu që pa dokument, nuk mundet. Atje ku mungon dikush nga një familje e caktuar, do të merren vesh të vijnë sërish kur personi në fjalë do të jetë në shtëpi, por kjo nuk do të thotë se edhe anëtarët e tjerë nuk duhet të regjistrohen atë ditë”, shtoi Simovski.

Që nga fillimi i numërimit janë regjistruar mbi 512 mijë qytetarë, kurse vetëm gjatë ditës të djeshme janë regjistruar 93 mijë. I pari i Statistikës, vlerëson se procesi është në nivel të kënaqshëm dhe se deri më 30 shtator, kur pritet të përfundojë, do të publikojnë se operacioni më i madh statistikor është kryer me sukses. Maqedonia është një ndër vendet e rralla në botë ku për 20 vjet nuk është realizuar regjistrim i popullsisë.