Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë rënë dakord mbi nevojën e bashkëpunimit global për Afganistanin, shkruan CNN.

Gjatë një telefonate të realizuar sot në mëngjes, ata e panë si nevojë urgjente bashkëpunimin për të evakuuar shtetasit e huaj dhe të tjerët nga Afganistani.

“Ata ranë dakord se bashkëpunimi global ishte vendimtar, si për nevojën urgjente për të evakuuar shtetasit e huaj dhe të tjerët nga Afganistani, ashtu edhe për rëndësinë afatgjatë të parandalimit të një krize humanitare në vend dhe rajon,” tha një zëdhënës i Downing Street.

Johnson theksoi gjithashtu se “çdo qeveri e ardhshme talebane në Afganistan” duhet të pajtohet me standardet e përbashkëta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që mbahen nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kryeministri përshkroi synimin e tij për të thirrur udhëheqësit e G7 për një takim virtual për të diskutuar këtë në rastin e parë,” shtoi zëdhënësi.