Në kohën kur organet e drejtësisë në vend po bien ndesh me njëra tjetën për masat që duhen marrë ndaj personave të dyshuar apo akuzuar për krime të ndryshme , e të cilët janë përsona publik, thënë ndryshe më së shumëti politikanë, në Maqedoni po del edhe më shumë në sipërfaqe ajo që thuhet tashmë një kohë të gjatë nga ndërkombëtarët se ne vend kemi gjyqësor të ngulfatur nga obstruksionet që bënte Qeveria e kaluar dhe i njejti ende nuk është çliruar. Pikërisht kjo ka bërë që Qeveria e re t’i përvishet punës për kthimin e drejtësisë jo selektive, vendimeve të drejta, sistemit gjyqësorë të pavarur. Thënë më shkurt kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Fillimish u përfol se Maqedonia, për reformat në gjyqësor, mund të marrë shembullin e Shqipërisë, e cila do të zbatojë Vettiung-un, por dje zv. kryeministri Bujar Osmani qartësoi se diçka e tillë nuk do të ndodhë dhe se reformat në gjyqësorin në vend do të zbatohen sipas një tjetër mënyre, duke shtuar se Vettiung-u nuk është i përshtatshëm për Maqedoninë, shkruan Almakos.
Lidhur me këtë eksperti i të drejtës juridike, Osman Kadriu, thotë se edhe pse Vetting-u nuk zbatohet në Maqedoni, përsëri ka pjesë shumë të ngjashme mes tij dhe hapave që po merr Qeveria e Maqedonisë për reformat në gjyqësor. Profesori Osman Kadriu thotë se nëse reformat në drejtësi, që janë hapi i parë drejt rikthimit të shtetit të së drejtës, dështojnë, atëherë do të dështoj e gjithë politika e Qeverisë.
“ Tani është formuar edhe një këshill për reformat në gjyqësor dhe ai këshill edhe pse nuk sjell vendime ekzekutive, por është organ këshilldhënës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Qeverinë dhe shumicën parlamentare, duhet të vendosë për hapat e rradhës që duhet të ndërmerren në gjyqësor. Mendoj se tani për tani duhet të fillohet me çështjen e shkarkimit që do të thotë përgjegjësia e bartësve të pushtetit gjyqësor, duke përfshirë edhe Këshillin Gjyqësorë të Maqedonisë dhe Këshillin e Prokurorëve dhe pastaj nëpërmjet këtyre dy organeve të kërkohet edhe përgjegjësia konkrete për gjykatës konkret të cilët janë të përfshirë në krim, korrupision dhe të cilët bëjnë obstruksione të ndryshme-“ tha Osman Kadriu, ekspert juridik.
Kadriu thotë për Almakos se fakti që nuk realizohen kërkesat e PPS për paraburgime apo rreth aktakuzave tregojnë se gjyqësori në Maqedoni është tejet i politizuar dhe i partizuar dhe kjo, sipas tij, është tregues se në gjyqësor duhet ndryshim rrënjësor.
“Duhet të shkohet në reforma radikale, që nënkupton në rend të parë shkarkimin e shumë gjykatësve e prokurorëve duke përfshirë edhe dy organet më përgjegjëse në pushtetin gjyqësor, pra Këshillin Gjyqësorë të Maqedonisë dhe Këshillin e Prokurorëve. Andaj nga ky segment ndoshta edhe ka pika të përbashkëta me Vetingun, i cili po ashtu në një qasje apo në një nivel të duhur duhet të zbatohet edhe në Maqedoni. Përndryshe theksoj, se nëse reformat në gjyqësor që është aktiviteti i parë, dështojnë , atëherë do të dështojë e tërë politika e Qeverisë dhe mund të jetë në pyetje votëbesimi i Qeverisë dhe përgjegjësia politike e për mos realizimin e atyre premtimeve ose më saktë të atyre detyrave që I kanë premtuar para qytetarëve”- tha Osman Kadriu, ekspert juridik.
Në takimin që mbajtën dje (e hënë) zv.kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i drejtësisë Bilent Saliu, u tha se kompetencat për vlerësimin e punës së gjykatësve do t’i kthehen Këshillit Gjyqësor. Sipas Osmanit planifikohet anulimi i Ligjit për Verifikimin e fakteve për disiplinimin e gjykatësve, sepse këtë e konsiderojnë si mënyrë apo instrument për presion. Ministria e Drejtësisa ka formuar këshillin për ndjekjen e reformave në gjyqësor. Gjithashtu ka formuar edhe grupin punues i cili do të bëjë përgatitjen dhe plotësimin e strategjisë në gjyqësor të cilën qeveria duhet ta miratojë deri në tetor të këtij viti.
E sa i përket Vetingut, i njejti synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë përmes një procesi, i cili parashikon plotësimin e katër etapave me rëndësi.
Etapa e parë kërkon deklarimin e pasurisë të personit dhe familjarëve të tij. Të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale.
Etapa e dytë synon kontrollin e pastërtisë së kandidatit për gjykatës/prokuror nga çështjet që lidhen me krimin e organizuar.
Etapa e tretë kontrollon aftësitë profesionale, ndërsa i katërti është një dokument më specifik, i cili nënkupton heqjen dorë nga privatësia, duke pranuar pajisjen me një celular të veçantë, një adresë elektronike të veçantë, të cilat do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.
Etapa e fundit do ta plotësojnë vetëm kandidatët që do jenë përgjegjës për Vetingun e të gjithë të tjerëve.