“Kanali që “kanalizoi” shumë vota në dobi të kryetarëve të mëparshëm e të tanishëm, kanali në emër të të cilit politikanë të papërgjegjshëm fituan edhe mandate deputeti, në Haraçinë u bë fushëbetejë politike ku qërojnë hesapet manipulatorët.

Dihet se rregullimi i shtratit të këtij kanali do të duhej të ndodhte qëmoti, por për këtë nuk pati as vullnet politik e as vizion të ndërtimit. Ky kanal mbeti i hapur që në çdo cikël zgjedhor ato parti që mashtruan dhe tradhtuan votën e haraçinasve, të zotohen se do ta regullojnë. Në mos tjetër, i kanë pasur të gjitha mundësitë që shtrati i tij të pastrohej dhe të mos rrezikonte jetëra qytetarësh, siç ndodhi para vërshimeve kur u rrezikuan shumë shtëpi. Madje, nuk u pastrua as pas katastrofës natyrore e cila morri përmasa të rrezikshme shkaku i neglizhencës së organeve kompetente. Dhe pikërisht, ky kanal tani bëhet arenë për qërimin e hesapeve midis llumit politik, të atyre që duan me çdo kusht edhe një herë haraçinasit t’i mashtrojnë.

Por, haraçinasit tashmë i njohin qartë edhe ata që i gënjyen me vite, edhe ata që i kushtëzojnë me votë.

Ka ardhur koha që Haraçina të ketë infrastrukturë të mirëfilltë të ujërave të zeza dhe atmosferike. Sikur të kishte vullnet të mirëfilltë dhe vizion të qartë për zhvillimin e kësaj komune, dihet se qindra miliona euro jepen si grante nga Bashkësia Ndërkombëtare për zhvillimin e komunave, për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ruajtjen e ambientit jetësor. Mirëpo, BDI është e interesuar që këto miliona t’i fus në xhep, ose përndryshe nuk bën fare projekte, e LSDM shqiptarët i trajton si “qytetarë të dorës së dytë” që duhet të mjaftohen me sa më pak që iu jepet.

Lëvizja BESA tashmë i ka të gatshme këto projekte të cilat do të prezantohen gjatë fushatës ndërsa menjëherë pas shpalljes së fitores në Haraçinë do të dorëzohen dokumentet e kompletuara dhe do të aplikohet për fonde të cilat do të garantojnë të ndërtohen kolektorët për ndarjen e ujërave të zeza dhe atyre atmosferik. Ky do të jetë vetëm një prej hapave në synimin tonë që Haraçinën ta bëjmë komunë të zhvilluar që i plotëson të gjitha standardet bashkëkohore.“, – shkruan Ali Ismaili i BESËS.