Kasami: Turpi BDI-së nuk mbulohet me protestë, ata si bën hesap askush

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka theksuar se shqiptarët nuk duhet të jenë viktima të atyre që duan incidente ndëretnike për të mbuluar krimet e tyre. Ai ka theksuar se protesta e sotme në rrugë e BDI-së kundër kryqit tregoi se në çfarë derexhe janë dhe si bën hesapë askush.

“Do të më lejoni të them se skenë më ironike se ata zyrtarë të partisë në pushtet, që kishin dalë gjoja të protestojnë kundër pushtetit, vërtet nuk mund të shihet. Ajo pamje i ka dy shpjegime: ose askush nuk i pyet për asgjë dhe nuk i bën hesap, që do të thotë se pas kësaj ata nuk e meritojnë më besimin e asnjë shqiptari ose ata janë marrë vesh me kujdestarin e tyre, VMRO-DPMNE-në, që ashtu të tallen me qytetarët: BDI të vendosë një shqiponjë të vocërr në mënyrë ilegale në Çair, ndërsa VMRO-ja ta vendosë një kryq gjigant në mënyrë ilegale dhe me paratë tona. Që, merre si ta marrësh, është përtej tradhtisë”, theskoi Kasami. Duke komentuar lansimin e tezës se përse opozita shqiptare nuk del në protesta, Kasami theksoi “Së pari ne nuk jemi kundër kryqit pse është kryq, por për shkak se simbolet fetare vendoset në vende publike. Së dyti, nuk duam të bëhemi viktima të atyre që sot e duan me gjithë zemër ndonjë incident shqiptaro-maqedonas ose myslimano-ortodoks, që ashtu ta mbulojnë turpin e tyre dhe ta zhvendosin vëmendjen nga temat reale të këtij vendi. Kjo është arsyeja që ne kemi bërë thirrje që askush të mos bie pre e provokimeve të tilla dhe të mos mashtrohet me këta politikanë të dalë mode, me këtë njerëz deledash, që nuk e dinë çka janë: opozitë apo pozitë.”  Ai tha se Maqedonia ka nevojë për paqe, ka nevojë për qetësi dhe ka nevojë për politikanë të përgjegjshëm. “Ne edhe kur themi se shqiptarët janë të diskriminuar dhe se kjo padrejtësi duhet të zgjidhet, këtë nuk e themi sepse vetëm ne duam të jemi mirë, porse që edhe ky shtet të bëhet mirë. Ne jemi seriozë dhe nuk mund të tallemi me ndjenjat e njerëzve. Ne e duam një shtet stabil, të zhvilluar dhe me kohezion ndëretnik dhe për këtë angazhohemi”, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA. (INA)