Bashkimi evropian do të kërkojë që Agjencia evropiane kufitare – Fronteks, të hapë zyre në Maqedoni, në mënyrë që ta ndihmojë vendin për ta kontrolluar kufirin me Greqinë, shkruan gazeta gjermane “Bild am Zontag”.

Kjo është përgjigje e Bashkimit Evropian ndaj nismës së kryeminsitrit slloven, Miro Cerar për përforcimin e mbështetjes për Maqedoninë, për kontrollin e kufirit me Greqinë, për të cilën sot në takim joformal në Amsterdam do të bisedojnë ministrat e jashtëm dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të Unionit.

Për momentin, Fronteks ka të drejtë të veprojë vetëm në territorin e Bashkimit Evropian. KE-ja planifikon që në mënyrë më të shpejtë të krijojë bazë juridike për punën e Fronteks-it në Maqedoni.

Komisioni evropian tashmë i ka ndarë Maqedonisë 2,6 milionë euro në formë të ndihmës humanitare, ndërsa pritet të marrë edhe mjete plotësuese financiare dhe ndihmë në pajisje dhe personel. Maqedonia është pjesë e të ashtuquajturës rutë ballkaniko-perëndimore, përgjatë së cilës migrantët nisen rrugës drejt BE-së.

Vlerësohet se vendi më së shumti pëson nga veprimi i Greqisë fqinje, autoritetet e së cilës, në mënyrë të organizuar nisën për në Maqedoni, e prej atje edhe në BE qindra mijë emigrantë. Greqia e cila kufizohet me Maqedoninë, shpesh është akuzuar se nuk e mbron kufirin e vet të jashtëm i cili gjithashtu është kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian.