Nga BDI presin që kryetari aktual, Fatmir Dehari, të merr përkrahjen nga partitë tjera shqiptare. Por, kështu nuk mendojnë nga Lëvizja BESA. Nga aty thonë se nuk do të mbështesin persona partiak, por kandidat unifikues. Edhe ASH angazhohet që Kërçova të qeveriset prapë nga shqiptar, duke preferuar gjithashtu kandidaturë konsensuale

Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit përsëri pritet të rrezikohet vota shqiptare në komunat etnikisht të përziera, sidomos në komunat si Kërçova, Struga, Dollneni, Çashka, Bërvenica, ndërsa në votat për këshilltarë shkon edhe më tej rreziku në komunat si Dibra, Kumanova, Gazi Baba apo Çairi, shkruan gazeta KOHA. Sa i përket interesave strategjike shqiptare, më kryesorja mbetet Kërçova, për të cilën aktualisht në opinionin publik ka zëra se do të dilet me kandidat të vetëm nga të gjitha partitë shqiptare, si kandidat konsensual. Por në terren konkretisht të gjitha indikacionet janë se partia me më shumë gjasa reale që të merr përsëri kryesimin e Kërçovës është përsëri BDI, ndërkaq kandidati më serioz i kësaj partie mbetet kryetari aktual Fatmir Dehari. I njëjti flitet së përveç mbështetjes partiake gëzon një mbështetje të fortë edhe nga lobi shqiptar në SHBA dhe në shtetet e Evropës Perëndimore, i cili në zgjedhjet e fundit ishte kyç që shumë mërgimtarë të vijë në Kërçovë dhe t’ia sigurojnë fitoren Deharit në rrethin e dytë zgjedhor. Por tani, për dallim nga katër vite më parë, gjërat janë krejt ndryshe. Mbi të gjitha, fragmentarizimi i subjekteve dhe ambiciet e partive shqiptare dallojnë nga katër vite më parë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e përjashtojnë mundësinë për një kandidat të përbashkët në Kërçovë. “Ende nuk kanë filluar bisedimet në këtë temë, por nuk përjashtojmë mundësinë për bashkëpunime në zgjedhjet lokale”, tha shkurt për gazetën KOHA Bujar Osmani. Ndërkaq anëtari i kryesisë qendrore, deputeti Xhevat Ademi është më i prerë dhe konkret. Ai thotë se BDI pret mbështetje nga subjektet tjera shqiptare dhe nga organizatat joqeveritare për kandidaturën e Fatmir Deharit. Deputeti Ademi për Fatmir Deharin thotë se është i vetmi që mund të garantojë fitore karshi palës maqedonas në këtë komunë. “Presim të gjitha subjektet politike shqiptare, organizatat joqeveritare dhe asociacionet tjera ta përkrahin kandidaturën e Fatmir Deharit. Me këtë do tregonin se janë të interesuar dhe të gatshëm të përkrahin kandidatin e vetëm që garanton fitore kundër palës maqedonase”, theksoi për gazetën KOHA deputeti Xhevat Ademi, duke shtuar se “çdo gjë tjetër do të ishte vetëm dëmtim i opsionit shqiptar për Kërçovën”. Por se sa do të jetë konsensual kryetari aktual Fatmir Dehari për partitë tjerë, si person partiak, mbete të shihet. Nga ana tjetër, që tani lëvizja BESA është kundër kandidimit të personave partiak në komuna të cilat rrezikojnë të mos drejtohen nga shqiptarë në qoftë se nuk bëhet unifikimi i votës. Nga kjo Lëvizje theksojnë se janë të gatshëm të përkrahin një kandidat që jo vetëm nuk është person partiak, por edhe që është unifikues dhe profesional. “Lëvizja BESA për dallim nga partitë e tjera politike, ka qenë dhe është konsekuente në qëndrimin se Kërçovës i duhet një kandidat jopartiak, i vendosur me konsensus nga të gjithë faktorët relevantë në Kërçovë. Shpresojmë që Kërçova kësaj radhë do të drejtohet nga një kandidat i cili është profesionalisht i përgatitur, jopartiak dhe unifikues dhe i cili do t’i çlirojë kërçovarët nga frika e ndëshkimit nga militantë të ndryshëm politikë”, thotë për gazetën KOHA, Faton Fazliu, nga Lëvizja BESA. Ndërkaq, nga ASH shprehen të vendosur që kryetari i Kërçovës të ngelet edhe më tutje shqiptar dhe se duhet të reflektojë konsensus dhe unitet dhe të jetë i pranueshëm nga të gjitha forcat politike. “Për këtë do të vendosë Kryesia Qendrore, Kryetari dhe Dega e LR-PDSH-së në Kërçovë. Jemi të vendosur që kryetari i Komunës së Kërçovës të ngelet edhe më tutje shqiptar. I njëjti duhet të reflektojë konsensus, unitet dhe te jetë i pranueshëm nga te gjitha forcat politike shqiptare. Në të gjitha komunat ku kërkohet vota shqiptare për të fituar një kandidat shqiptarë jemi të gatshëm të japim kontributin tonë politik dhe kadrovik”, theksoi për gazetën KOHA Flakron Bexheti, anëtar i kryesisë qendrore të LR-PDSH-së dhe zëdhënës i partisë. Në funksion të matematikave për zgjedhjet lokale është edhe fati i koalicionit nga zgjedhjet parlamentare-Aleanca për shqiptarët. LR-PDSH këto ditë pritet të merr vendimin nga Gjykata e Tetovës për ndërrimin e emrit të partisë, konkretisht nga LR-PDSH që e ka tani, në Aleanca për Shqiptarët. Por sa i përket partive tjera, UNITETI dhe RDK, mbetet diskutabile nëse do t’i bashkëngjiten partisë ASH. Sipas informatave jozyrtare të gazetës KOHA, nënkryetari i Unitetit Zulfi Adili, me mbi 80 % të strukturave të kësaj partie do t’i bashkëngjiten ASH-së. Por ky kjo lëvizje është kundërshtuar nga kryetari i partisë Gëzim Ostreni dhe rrethit të bashkëpunëtorëve të tij, të cilët mund t’i vazhdojnë aktivitetet e partisë së UNITETI-it. Edhe RDK e Vesel Memedit ka dalë kundër shkrirjes në subjektin e ri Aleanca për Shqiptarët. Ndryshe, në zgjedhjet e fundit lokale në Kërçovë fitoi Fatmir Dehari në rrethin e dytë, në një fushatë të ashpër politike me dy partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM, të cilat garuan së bashku ashtu si edhe në Strugë.