lagja e trimave

Këshilli i Lagjes së Trimave: Nëse nuk ndihmoni, mos na keqpërdorni për qëllime politike, dhimbjet dhe humbjet i kemi të mëdhaja.

Banorët e Lagjes së Trimave, të cilët u dëmtuan nga akcioni policor në 9 dhe 10 Maj të vitit të kaluar, i cili ishte i urdhëruar nga MPB-ja dhe krerët më të lartë shtetëror,  reagojnë ashpër ndaj tentimeve për përfitime politike ndaj të gjithë partive politike të cilët duan të përfitojnë në kurriz të hallit dhe dhimbjes së tyre. Këshilli i Familjeve te Lagjes së Trimave u tubua në hyrje të lagjes së tyre për t’u dërguar një mesazh deri tek të gjitha partitë politike që mos të përdorin ngjarjet e Lagjes së trimave për përfitime politike, nëse nuk mund të ndihmohen, atëherë të respektohet dhimbja dhe humbjet që kanë pësuar ata.

“Ne, edhe partive politike iu kemi treguar. Nuk na kanë dal krah atë ditë kur është dashur dhe nuk kanë vend këtu. Iu kemi treguar të gjitha partive politike se këtu e keni STOP! Prej lagjes së Trimave mundet me u nisë vetëm Marshi Përkujtimor dhe atë do ta bëjmë. Do të organizojmë një marsh përkujtimor për hir te dëshmorëve dhe viktimave të rënë këtu. Ne do t’i përkujtojmë ata për sa të jetë jeta”, u shprehën nga Këshilli i Familjeve të Lagjes së Trimave.

Ata shprehen se nuk janë kundër protestave të organizuara nga kushdoqoftë, por janë kundër keqpërdorimit të dhimbjes dhe humbjeve të tyre nga partitë politike shqiptare, ndërsa kërkojnë respekt, sepse ndihmë nuk morrën nga askush, përveç se nga diaspora shqiptare.