ermira

Nëse BDI e hedh fytyrën e saj të tranzicionit, se tani e ka kaluar atë kohë dhe i ka bërë paratë të blejë imazhin, që ajo e solli falas, është përsëri problem i BDI, që nuk ka mësuar se një flutur e shkakton ortekun, një vijë e padukshme e ndan suksesin nga dështimi, paratë nga falimenti, mijëra ndjekës i bën befas mijëra mosbesues. Kështu bien perandoritë, jo më partitë. Me apo pa Ermirën, BDI ka boll për të sqaruar shqiptarët dhe veten, se ku po i çojnë dhe ku po shkojnë. Sikundër Ermira, ka sa të duash mundësi e dritare të tjera politike, sepse ajo është Ermira e politikës mbarëshqiptare, jo Ermira e BDI.

Deputetja r e BDI-së, Ermira Mehmeti përmes një postimi në fejsbuk, është shprehur e zhgënjyer për reformat në BDI, dhe kështu ajo përmes postimit ka njoftuar që nga sot ajo ngrinë të gjitha aktivitetet e saja politike në strukturat lokale dhe ato udhëheqëse të partisë në pushtet BDI-së, njofton Fol.mk

 

Më poshtë lexoni postimin e plotë:

 

”Kisha deshire dhe qellim te sinqerte ta reformoj BDI. Isha e bindur se ka baze dhe do te gete gatishmeri per reflektim, ne menyre qe partia te behet me e forte, me e konsoliduar, me e fuqishme ne qeverisje.

Cdo tentim i imi hasi ne pengesa, kundershtime dhe goditje te uleta. Me sajuan afera, me prodhuan skenare, e nxisnin strukturen kunder meje. Mediat qe financohen nga BDI u vune ne sherbim te tyre duke bere fushate per te rrenuar kredibilitetin dhe integritetin tim.

Te kapur pas funksioneve sikur t’ua kishte bere nena, te perjetshmit e kuptuan si kercenim personal nevojen per reformim te partise. Cdo tentim per te shpjeguar se partia eshte organ kolektiv dhe nuk i takon askujt personalisht, ata e kuptonin si cenim ndaj privilegjeve personale. Prandaj mobilizuan te gjithe poltronet te cilet, per pak para ose ndonje beneficion te vogel, u vune ne mbrojtje te korrupsionit, vazalitetit dhe servilizmit. Na detyruan madhebta votojme edhe Toni Naunovskin, sepse sigurisht qe dikujt ia kane pasur per borxh.

Une sinqerisht mendoja se gjerat mund te ndryshojne dhe se brezi i ri mund t’i printe reformes. Paskam gabuar.

Duke filluar nga sot dhe deri ne perfundim te ketij mandati do te heshti. Poashtu ua bej me dije te gjitheve se me sot ngrij te gjitha aktivitetet e mia politike ne strukturat lokale apo ato udheheqese te partise.

Lufta me hienat politike eshte lufte e humbur paraprakisht. Por, per te gjithe keto hiena kam nje mesazh: koha ime ne BDI ndoshta asnjehere nuk do te vije, por ama jam shume e bindur se koha juaj po perfundon”!.

 

Fol.mk  në vazhdim ua sjell një shkrim të  gazetares Rudina Xhunga për Ermira Mehmetin  të titulluar ‘Ermira nga Shkupi’ duke shkruar një retrospektivë prej se  janë njohur nga viti 2002;

 

rudina-150x150Ermira nga Shkupi

Partia e Ali Ahmetit, më kujton një natë me plumbave në Tetovë, kur s’kuptohej kush qëllonte kë, dhe ne gazetarët e gdhimë në hollin e hotelit, duke pritur të zbardhej dita dhe historia.

Më pas BDI u bë për mua, portreti i bukur i Ermira Mehmetit. Vajzës me kaçurrela të zeza, që në 2002 iu bashkua partisë, duke i çuditur shumë prej atyre që vinin nga baruti, sesi ajo e mira nga Shkupi, fliste rrjedhshëm shqip, maqedonisht, anglisht, madje edhe shkruante në laptop pa parë tastierën.

Gazetarja e emisioneve televizive për fëmijë, që nuk linte fshat pa shkuar e diplomat pa takuar, ishte fëmijë politike. Në shtëpinë e saj, gratë e mençura të kohës, mblidheshin më nënën dhe flisnin për kurse kundër analfabetizmit. Aty u bënë bashkë dhe nxitën gra të tjera të dalin e të ndryshojnë jetën, duke mësuar të qepin e të lexojnë. Bashkë hapën gazetën “Dija”, kur burrat hapën gazetën “Dita”. Ermira  shoqëroi nënën në çdo takim. E tradhtoi vetëm një herë, kur u sëmur me temperaturë të lartë. Ajo ishte dita, kur bëheshin listat e partisë së re. Dita, kur nëna qëndroi më të bijën dhe nuk e gjeti më kurrë emrin, në asnjë listë. Arrij ta shoh atë ditë, kur nëna e Ermirës hoqi dorë nga të gjitha dhe nuk e mbështeti kurrë të bijën, për të bërë politike. E ka dritën e syve, e ruan nga zhgënjimet.

Por Ermira nuk ndaloi. Në çdo takim, në çdo tubim, në çdo zgjedhje. U be fytyra e ndryshimit, transformimit dhe hapjes së BDI. Imazhi i partisë së hapur ndaj gruas. Zëri i artikuluar femëror shqiptar që ndjell vajza të tjera të afrohen dhe burra të tjerë, të besojnë.

Unë e kam takuar herën e fundit, ndërsa ishte në majën e gjërave.

Kur e takova, dje, në Tiranë, më tregoi se ishte divorcuar, pas një martese që nuk zgjati dot. Tani jetonte me të birin tre vjeç, në shtëpinë e nënës. Elegante, me sy të mençur, që i fsheh herë pas here pas syzeve, për të mbuluar çdo ndjeshmëri në një bisedë që e prek, me  fytyrë të lëmuar, por e dërrmuar, edhe pse nuk e pranon. Në një kohë fare të shkurtër, i ndodhën të gjitha. Pas divorcit, e sulmuan që përdori pushtetin, për t’i marrë fëmijën burrit. Cilin pushtet, atë të nënës, thotë ajo dhe më tregon foton e princit të vogël të shtëpisë, që nuk ha, kur ajo nuk ha, që e këshillon të mos përlahet me burra, në punë, kur e sheh të flasë e ngrejë zërin në parlament.

Një vit më pas, në prag zgjedhjesh një gazetar maqedonas shkroi se shqiptarja e BDI,  kishte një aferë me ministrin e jashtëm maqedonas. U vu në qendër të ciklonit. Vetëm me një titull, as shkrim, as foto.  E përgënjeshtroi, duke treguar që nuk e njihte fare, e kishte pasur përballë vetëm një herë në komision, por nuk e besuan. Një grua e bukur, një grua e vendit të parë,  nuk mund të jetë vetëm dhe vetja. Është e kryetarit, shefit, e bosit, e kriminelit, e sponsorit, e idilit  politik. Gazetari që e shkroi, e përgënjeshtroi lajmin, por dëmi ishte bërë.

Pas zgjedhjeve, ku doli deputete, iku në Amerikë. E kishte përfunduar LSE, por i mungonte edhe George Town. Për kë përmirësohesh, për çfarë e rrit cilësinë tënde, në një ambient që përmirëson vetëm cilësinë e sendeve, duke bërë politikë, afër qoshes? -e pyes.

Dhe kam të drejtë, sepse pas kthimit, edhe është, edhe nuk është. Është në atë pikën, kur të thonë, pa të thënë;  më mirë ik vetë, sa të të heqim Ne.

Ne? Këta Ne, që të shfrytëzojnë, fytyrë, emër, rini, pasion, energji, ide. Këta Ne, që të hedhin baltë dhe të lënë në baltë, se të keqen e mban ti, të mirën e duan për vete.

Këta Ne, në Maqedoni, Tiranë,  Prishtinë, që janë gjithnjë bashkë dhe bëhen bllok, sa herë duhet të mbrojnë cilindo pervers dhe hajdut, se është “burrë”. Kurse gratë rrinë veç e veç, të ndara dhe përçara, pa thënë kurrë një fjalë, se kane frikë mos iu vjen radha atyre.

Këta Ne, me plot historira seksuale përdhunimi, sepse çfarë tjetër veçse përdhunim, mund të jenë seksi real apo virtual me burra aq të shëmtuar , që përdorin dhunën e pushtetit, ndaj vajzave të vogla, që duan të dalin nga mjerimi, apo anonimiteti me çdo kusht; ndaj grave që mbajnë familjen, sepse pushteti i pushtave, nuk u lejon mënyrë më dinjitoze të mbajnë familjet, përveç prostituimit, me këta impotentë me pushtet.

Këta Ne, që kanë gjetur gjahun e radhës. E përgojuan, e frikësuan, e lanë vetëm dhe tani duan ta heqin nga politika.

Nëse Ermira rri, apo ikën nga BDI, ky është problem i BDI. Poqe se harxhojnë para për këshilltarë të huaj, për të nxitur e rritur imazhin, nuk besoj se kanë luksin ta humbasin zërin e saj. Qoftë edhe kur del kundër qeverisë Gruevski, i bën nder BDI, se e bën të ngjajë e lirë. Nëse BDI e hedh fytyrën e saj të tranzicionit, se tani e ka kaluar atë kohë dhe i ka bërë paratë të blejë imazhin, që ajo e solli falas, është përsëri problem i BDI, që nuk ka mësuar se një flutur e shkakton ortekun, një vijë e padukshme e ndan suksesin nga dështimi, paratë nga falimenti, mijëra ndjekës i bën befas mijëra mosbesues. Kështu bien perandoritë, jo më partitë. Me apo pa Ermirën, BDI ka boll për të sqaruar shqiptarët dhe veten, se ku po i çojnë dhe ku po shkojnë. Sikundër Ermira, ka sa të duash mundësi e dritare të tjera politike, sepse ajo është Ermira e politikës mbarëshqiptare, jo Ermira e BDI.

Por “Çështja Ermira” është gjë tjetër, ajo nuk ka lidhje, as me Ermirën, as me BDI-në. “Çështja Ermira” duhet të bëjë bashkë debatet e grave dhe vajzave në hapësirat mbarëshqiptare. Sepse është çështja ime, është problemi yt. Po u shuan ca zëra si i saj, vajzat nuk do të përshihen në lëvizjet politike rinore, apo lëvizjet femërore për ndryshim. Thjesht do të zhvishen për të dalë nga anonimati. Do të mbushin rrjetet online me lajme të tipit,  “I hoqi të gjitha”,  dhe do të zbrazin shpresat në sytë tanë, që jemi vajza dhe kemi vajza. Që duam një botë vajzash pa themelet në legjendën e Rozafës. Sepse nuk do të bëhemi kurrë bashkë, kurrë më mirë nëse vazhdojmë të sakrifikojmë vajzat.

Ndaj, vajza të të gjitha trojeve, bëhuni bashkë, se do ju hanë të paaftët!