Në bisedën e së premtes mbrëma në TV “Globi” të Gostivarit, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka folur për situatën aktuale politike në Maqedoni dhe për angazhimin e tij në Këshillin Opozitar.

“Është trishtuese, është poshtëruese për gjithë ne shqiptarët, kur e sheh sa janë të dëgjueshëm, sa janë të kujdesshëm, sa janë të dobishëm dhe të gjunjëzuar drejtuesit e BDI-së ndaj VMRO-DPMNE-së, e të cilët  njëkohësisht janë aq arrogantë, aq të papërgjegjshëm, aq mospërfillës ndaj popullit që thonë se përfaqësojnë – pra ndaj shqiptarëve”, ka thënë  Kim Mhemeti duke folur për përfaqësuesit  aktual të shqiptarëve të Maqedonisë.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë mundësia e  fundit kur ne shqiptarët e  Maqedonisë do duhet të dëshmojmë pjekuri politike, sa të shpëtojmë nga kthetrat e rrugaçërisë partiake, që janë duke ngulfatur çdo vlerë tonën, ka thënë Kim Mehmeti duke folur për zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare për 5 qershor.

“Nuk është e vërtet se drejtuesit e BDI-së janë miq të Perëndimit, ngaqë ata kryesisht veprojnë “rusisht” dhe vlerat perëndimore dhe pro amerikanizmin ata e përdorin vetëm si mbulesë për hajninë dhe leninizmin e tyre. Si mund të jenë properëndimorë ata që vjedhin vota, ata që partizojnë shtetin. Si mund të jenë proamerikanë ata që rrënojnë vlerat e demokracisë amerikane, siç është liria e mediave. Andaj le mos na gënjehemi: drejtuesit e BDI-së janë leninistë të vonuar të marrë peng  dhe janë duke e helmuar të sotmen tonë demokratike”, ka theksuar Kim Mehmeti.

Përndryshe, Këshilli Opozitar nesër, më 27 shkurt (e shtunë), do organizojë tribunë me qytetarët e Gostivarit dhe vendbanimeve përreth. Tribuna fillon në ora 19:00 në Qendrën për Kulturë në Gostivar. Kurse pjesëmarrës në këtë tribunë do të jetë edhe Kim Mehmeti.