Opinionistja e njohur Kimete Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të brendshëm, Skender Hyseni, se ai do të dij kur do të liberalizohen vizat. Ajo porosit Hysenin se ai nuk ka pse merret me vizat por ai duhet të gjej kriminelët që po vrasin çdo ditë, e sidomos vrasja e femrave shqiptare ditëve të fundit.

Më poshtë postimi i plotë i opinionistes Kimete Berisha.

‘Parajsa’ e kriminelëve!

Këqyre arkivolin e vajzës 24 vjeçare, qysh e ka mbuluar nëna e shkretë me çarçaf të bardhë mëndafshi për ta shti’ nesër në dhe, në vend se ta përcjell nuse.

Kqyri nanën e re qysh e mban në prehër fotografinë në kornizë të vajzës së saj të vrarë në mal.
Dhe, kur ia sheh shaminë e bardhë në kokë, mendo për krenarinë shqiptare, që nuk e bën nanën ta vajtoj vajzën e saj me fjalë e me lot, por ajo do t’i tregojë të gjithëve se vajza e saj ishte dhe shkoi faqebardhë.
Më e rëndësishme për nanën shqiptare është dinjiteti i vajzës se sa jeta e saj.

Lëre ore ti Skender Hyseni komisionerin evropian Dimitris Avramopoulos, s’ke pse merresh ti me vizat.
I paske thënë Dimitrisit se kosovarëve u intereson kur do të lëvizin pa viza.
Nuk është kah të pyet askush ty për viza.

Neve prej teje po na intereson me na tregu kur do të zbulohen krimet dhe vrasjet, dhe prej teje presim që të marrim vesh se pse sidomos vrasësit e femrave shqiptare ia dalin të ikin dhe të fshihen, ju nuk jeni të aftë ti gjeni.
Sot, është dashur të dilet me një raport policor se çfarë po bëhet për ta zënë vrasësin e Donjeta Pajazitit. E jo të merresh ti me viza, që nuk është puna jote!

Deri sot është dashur të shkarkohen nga puna dhjetëra hetues e punonjës policie që ose nuk duan, ose nuk dinë ta kryejnë punën e tyre. Kurrë askush deri tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për dështimet e përditshme në drejtësinë e qelbur të Kosovës.

Pse nuk ndodh asnjë reformë në polici, dhe a jeni të vetëdijshëm ju se Kosova u bë ‘parajsë për kriminelët’ të cilët e kanë parë se këtu mund të vritet me lehtësi çdo kush dhe askush të mos jap përgjegjësi.
Zbulohen vetëm rastet kur vrasësi dorëzohet vet në polici, plus edhe në këso rastesh, dënimet janë qesharake.
Ju thirri Zejnepja e ndjerë, nuk e ndihmuat. I injoroni thirrjet e grave shqiptare për ndihmë, sepse shumë prej jush i rrehni vet gratë e juaja.

Çka u mor vesh që vrasësit me emër dhe mbiemër ‘avullohen’ para syve tuaj, në këtë vend kaq të vogël e të ngushtë.
Ne presim prej jush t’ua prishni qetësinë kriminelëve, që ose nuk dini, ose përtoni, ose nuk doni ti gjeni.
Duam shkarkime, ndryshime, duam reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe policisë.
Deri atëherë, duhet ta mbrojmë veten.(tetovasot)

Kimete-Skender-620x298