Opinion nga :Arban BALLIU

arbanKujt i duhet në këto momente dramatike të popullit tonë të fillohet me këtë “fushatë rrënuese” për ç’organizimin e forcave të shëndosha kombëtare, që janë në kuadër të Aleances per Shqiptaret ?
Kujt i shkojnë për interes përçarjet e anëtarësisë së gjërë opozitare?

Tash për tash nuk është lehtë të kuptojmë se pse Kim Mehmeti u vu në krye të Këshillit Opozitar. 
Sipas mendimit tim janë tre faktorë që e shtynë atë të marrë flamurin e një Këshilli që ka për qëllim shkatërrimin e bllokut opozitar dhe në gërmadhat e atij shkatërrimi të ndërtojë ’’OPOZITEN BRENDA OPOZITES’’.

Faktori i parë janë shkaqet KARIERISTE. 
Kim Mehmeti është duke shpresuar se tani ka ardhur koha të futet në jetën politike të Maqedonise, pasi që edhe të tjerët që nuk kanë bërë asgjë më tepër se sa ai për ta ndërruar status-qoun, po mundohen të gjenden dikund, për të zënë një pozitë çfardo qoftë ajo. Harrohet se tani Alenca për Shqiptarët është faktori kryesor i ngjarjeve dhe rrjedhave kombëtare, e cila po e merr fatin e lëvizjes sonë kombëtare në duart e saja të sigurta. Partiakët e pështirë, politikanët falltorë dhe pseudointelektualët karrieristë nuk do të kenë më rastin të manipulojnë, të gënjejnë dhe të mashtrojnë, sepse Aleanca për Shqiptarët në mesin e saj radhiti dhe do radhisë politikanë atdhetarë.

Faktori i dytë është “DIKU PREJ LART” për ta vënë Kim Mehmetin në krye të te ashtuquajturin Këshill Opozitar, pasi që njeri më të besueshëm pushetarët e Maqedonise nuk kanë. Kush më tepër se Kimi propagandoi për ngadhënjimin e “Revolucionit Che Guevarist” të Maqedonisë? 
Kush më tepër se ai përkrahu politikën antikombëtare të pushtetarëve të Maqedonisë së sotme?!

Faktori i tretë është se Kim Mehmeti sot luan rolin e të DITURIT dhe këtu plotësisht e përkrah, pasi siç thotë një proverbë e vjetër popullore”në mesin e të verbërve, vetëm ky është me një sy”. 
Kim Mehmeti si person apartiak ka ’’shkëlqyer” në intervistën e tij ku ashper kundershton, kritikon, nëncmon e cfar jo tjetër Rufi Osmanin dhe Ziadin Selen. A nuk është kjo një kontradiktë dhe një pështjellim i pa nevojshëm?

Do pyesja vehten, a thua kur do të bëhet e ditur se kur, ku dhe kush e ka vendosur Kimin në këtë pozitë apartiake. Apartiaku i peshtirë, përpos që duhet të dijë të sillet si politikan, ai duhet të jetë edhe avokat i mirë. Por, apartiaku i nderuar duhet të na tregojë se kur flet përnjëmend e kur për mahi. Po qe se e ka pasur përnjëmend, atëherë nuk është dasht t’i hyjë kësaj pune për formimin e Këshillit Opozitar, sepse kushtet për të cilat flet, janë perkeqësuar shumë herë më shumë. Pra siç po shihet, Kim Mehmeti luan rolin e Al Paçinos ne filmin AVOKATI I DJALLIT (The Devil’s Advocate), ai nuk ka përparuar fare, por ka mbetur në të njëjtin nivel kur mundohet ti mbron interesat e djallit. 
Sigmund Freud njëherë ka thënë: Për të kuptuar dhe mundur dikë, ju duhet ta dini kush është ai person.

A thua nuk e ka të qartë apartiaku i Këshillit Opozitar siç e quajnë, se në çfar kushte dramatike gjendet populli ynë në Maqedoni. Këtu nuk ka shumë logjikë. Çka do të ishe e logjikshme këtu? E logjikshme do të ishte që të gjitha partitë që e quajnë veten opozitare, përjashto PDSH-në e Mendu Thaçit, t’i bashkojnë forcat në një front të përbashkët politik përkrah Aleancës për Shqiptarët. Shqiptaret shpesh kane ditur të veprojnë në situata të tilla, për të mos thënë se ka kohë që ne është dashtë të veprojmë kështu”. Kjo tregon se apartiaku analist, opinionist e çfarë jo tjetër, një flet e tjetër vepron, dhe se me të vërtetë e ka pjekur zanatin e politikanit dhe me plot të drejtë mund të thuhet se ai tashmë, sipas përkufizimit të tij, sillet si politikan dhe vaj halli për kundërsharët e tij politik!

A thua ende zotriu se ka kuptuar tragjedinë e madhe që ia sollën kombit tonë kjo garniturë e pushtetarëve të Maqedonise, duke e plagosur rëndë identitetin shqiptar me zhdukjen e faktorit të shtetit të së drejtës. A nuk e ka ende të qartë vallë zotriu, diplomacinë tërësisht antishqiptare të Qeverisë së Shkupit.

Mendoj se këto janë mjaft fakte bindëse për çdo njëri që i ka dy kokrra mend dhe ka arsye të shëndosh për të kuptuar politikën antikombëtare qe po e ndihmon edhe vete Kimi ndaj çështjes kombëtare në përgjithsi dhe të shqiptareve te Maqedonise në veçanti. 
Kush ka pasur nevojë, dhe me porosinë e kujt Kimi mundohet të krijon probleme të paqëna në popullin tonë? A nuk janë munduar në të kaluarën dhe nuk u munduan edhe në ditët tona të mbjellin përçarje të tjerët duke bërë përpjekje të nxisin luftë vëllavrasëse?! A nuk treguan këto ngjarjet e fundit se të përçarë dhe në luftë të pakompromis janë vetëm politikanët e pështirë, që interesat partiake dhe personale kurdoherë i vënë mbi ato kombëtare, dhe për të arritur objektivat e tyre bëjnë aleanca djallëzore edhe me armiqtë tanë shekullorë?!

Më në fund shrohet pyetja se deri kur Kimi do të luaj role destrukive në dëm të çështjes sonë kombëtare?! Deri kur Kimi dhe bashkemendimtaret e tij do ta mbrojë politikën antikombëtare në dëm të çështjes sonë kombëtare?! Deri kur, Kimi do të bëjë kalkulime vetëm për interesat e tija personale?! Kur do të vetëdijësohet Kimi se nuk vlenë të mbrohet e pavërteta, sepse sado që zbukurohet ajo me fjalë të mira e të bukura, ajo mbetet e shëmtuar, dhe do ta shëmtojë çdo njërin që mundohet ta mbrojë atë.

Deri kur Kim. Mbushu me mënd. Koha e fundit ti rrahësh trurit.