Ministri i ri i ekologjisë Bashkim Ameti nuk ka ndonjë qëndrim se si do të zgjidh problemin me ndotësin më të madh të ajrit në Pollog Jugohromin. Ai tha se në ministri po shqyrtojnë lëtë problematikë dhe se së shpejti do të dalin me qëndrim.

“Unë do kisha dashur të them se si Ministër i ri që drejtoj këtë resor prej disa ditësh po shqyrtojmë seriozisht lëndën dhe kur të kemi një qëndrim të saktë do njoftoheni me kohë”, deklaroi Bashkim Ameti, Ministër i Ekologjisë.

Nga ana tjetër, drejtuesit e lëvizjes EkoGuerilla, kanë alarmuar edhe një herë situatën me ndotjen në Tetovë, e cila dita ditës shkon duke u rritur, madje kanë kërkuar nga ministri i ri i ekologjisë që, sa më shpejtë të merret vendimi për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ndotja ekziston dhe ne treguam qe gjate muajit janar dhe shkurt kur fabrika Jugokrom u mbyll ndotja ra për më shumë se 40 për qind tani me hapjen sigurisht që është kthyer edhe ndotja, prandaj, i bëjmë ftesë edhe një herë ministrit të ri që t`i marr këto punë më me seriozitet nga ai i kaluari sepse kjo është një situatë e cila nuk pret, çdo ditë humbim njerëz, dikush sëmuret, dikush vdes”, tha Arianit Xhaferi, drejtues i EkoGuerilla.

Përndryshe me mbylljen e Jugokromit nga një janari ndotja në Tetovë është ulur për afro 40 për qind, në krahasim me vitin e kaluar për periudhën e njëjtë. Por me riaktivizimin e vetëm dy furrave të këtij kombinati muaji mars kaloi me ndotje 30 për qind më pak nga marsi i vitit të kaluar. Nga një prilli me rritjen e kapacitetit të punës së Jugokromit, ndotja rezulton të jetë për 20.80 për qind më e madhe nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar.