Nga, Abdulla Mehmeti

Siç e din secili prej nesh, kryetari i një subjekti politik, ose lideri i një lëvizje, duhet të jetë timonieri i atij subjekti, më i miri nga të mirët, shembull për të tjerët në një organizim politik, nga i cili pritet t’u prijë proceseve demokratike të një shoqërie, populli ose shteti. Këtë fakt nuk e ka mohuar askush deri më sot.

Krizën politike në Maqedoni, edhe opinioni i brendshëm edhe faktorët ndërkombëtarë, kanë konstatuar se është krijuar nga subjektet politike në pushtetin e derisotëm, në të gjitha struktura dhe nivelet e tij. Edhe këtë fakt nuk e ka kontestuar askush deri më sot.

Në dy koalicionet e subjekteve politike joshqiptare, të bllokut shumetnik, të njohura si koalicione të partive maqedonase, dallimet dhe ndasitë kanë qenë dhe mbeten të njëjtat, në betejën e tyre për pushtet. Askush deri më sot nuk ka thënë diçka më shumë seç shihet nga veprimet e tyre.

Por, askush nuk ka thënë se subjektet politike të shqiptarëve nuk dallojnë shumë mes tyre, sepse asnjëra prej tyre nuk udhëhiqet nga ndonjë figurë e re politike, nga ndonjë lider i cili nuk ka qenë deri më sot pjesë e po këtij pushteti, i cili e solli vendin në këtë krizë politike. Sado që të rreshtohen subjektet politike të shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët politike, të ndihmohen dhe përkrahen edhe nga qendra të rëndësishme jashtë vendit, gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk do të ndryshojë pikërisht nga ky shkak, së paku në nivelin sa presin qytetarët shqiptarë në Maqedoni dhe bashkëkombësit tanë.

Pa keqkuptime, nga cilido që mendon ndryshe. Unë jam i bindur se, edhe hajni edhe ai që ia mban fenerin, kanë përgjegjësi të njëjta në kryerjen e një vepre kriminale.

Të drejtë për demant kanë vetëm ata që mund të ofrojnë dëshmi se ndonjëri nga udhëheqësit aktual të subjekteve politike të shqiptarëve nuk ka qenë bartës i ndonjë funksioni të lartë në pushtetin e derisotëm, i cili nga vetë këto subjekte tani cilësohet si pushtet kriminel, jodemokratik dhe antishqiptar!

E si duhet të cilësohen bartësit e funksioneve të larta në atë pushtet, nga të cilët pritni se do të bëjnë ndryshime të thella në të ardhmen?

Shqiptarët në Maqedoni përfundimisht kanë nevojë për kthjellje, gjykim me gjakftohtësi dhe aksion politik të shëndoshë, jashtë çfarëdo kontrolli të mega bizneseve, grupeve të interesit dhe shërbimeve sekrete, ngado qofshin ato!