Nuk dihet se kur do të vendoset në rend dite në Gjykatën Kushtetuese iniciativa e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Drejtësisë për vazhdimin e mandatit krerëve të komunave dhe këshillave komunal. Nga ky Institucion thonë se në këtë fazë është vlerësimi i iniciativës, nëse e njëjta ka bazë për shqyrtim.

Ka dy iniciativa. Në rend dite do të vendoset pas tejkalimit të procedurave sipas rregullores. Jemi duke punuar në drejtim të përpunimit të iniciativave, më pas pason vlerësimi paraprak dhe pastaj vendosen në rend dite ku edhe vlerësohet Kushtetutshmëria e tyre. Për çdo gjë do të informoheni në kohë – bëjnë me dije nga Gjykata Kushtetuese

Profesori universitar Mersim Maksuti thotë se Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi që të vazhdojë mandatin e krerëve dhe këshillave Komunal, pasi një gjë e tillë nuk parashihet në ligjin për Vetëqeverisje lokale, madje as në raste të jashtëzakonshme.

E vetmja mundësi edhe pse nuk e parasheh ligji do të ishte që kryetarët e Komunave aktuale do ta autorizonin dikën nga administrate komunale që të ushtrojë kompetencat e domosdoshme teknike që kanë të bëjnë me marrjen e rrogave dhe disa çështje tjera elementare teknike, që të mos vijë te paralizimi I funksionimit të komunave në Maqedoni – deklaroi Mersim Maksuti, Ekspert Kushtetues.

Dy ministritë ajo e pushtetit lokal dhe Drejtësisë dorëzuan në Kushtetuese iniciativë për interpretimin e dispozitave të cilat përveç mandatit të rregullt katër vjeçar, nuk parashikojnë asgjë për rastet e jashtëzakonshme.