KOMUNIKATË 

Të nderuar eurodeputet, z. Howit, z. Vajgl dhe z. Kukan, vizitat tuaja në RM çdoherë priten me entuziazëm dhe shpresë se përfundimisht gjërat do të marrin nga e mbara. Ne vlerësojmë kontributin tuaj për paqen dhe stabilitetin në RM. Me keqardhje konstatojmë se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç keni dashur ju dhe ne bashkë. Marrëveshja e “Përzhinos” me keqardhje konstatojmë se është shtrembëruar dhe çdo ditë e më tepër shpresa për zgjedhje të drejta po veniten. Debati për zgjedhjet u zhvillua në katër drejtime kryesore:

  1. E para, gjatë kohe u bisedua për modelin zgjedhor. Proporcional me lista të hapura apo të mbyllura. Asgjë nuk ndryshoi, ngeli modeli proporcional me lista të mbyllura duke harruar se kjo shoqëri ka nevojë të demokratizohet, duke harruar se partitë politike kanë nevojë të liberalizohen. Për rezultat përsëri kemi “Lider të fortë” dhe deputet të hipotekuar me qindra mijëra euro garancë për liderin dhe për pasojë popull të hipotekuar dhe të papërfaqësuar.
  2. E dyta që u bisedua ishte riformatimi i njësive zgjedhore nga gjashtë në një njësi zgjedhore. Përsëri ngeli zgjedhja e vjetër dhe mentaliteti i mbrapsht që për rezultat kishte dhe ka deputet nga radhët e bashkësive më të vogla etnike që i binden liderit të partisë ku janë në koalicion dhe aspak përfaqësimit dinjitoz të votuesve të tyre.
  3. E treta Deputetët e diasporës do vazhdojnë të zgjidhen sipas logjikës Staliniane të zgjedhjeve. Është botërisht e njohur thënia e tij: “ Mirë është populli që të dijë se mbahen zgjedhjet dhe ta hedh votën në kutinë e votimit. Ai që përcakton fituesin nuk është ai që voton por ai që numëron”. Është kjo logjikë që në dy cikle zgjedhore radhazi ka bërë që të tre deputetët e diasporës të zgjidhen nga radhët e partisë që numëron votat dhe jo nga diaspora. Është po e njëjta logjikë e cila përsëri do të bëjë që të zgjidhen deputet nga diaspora të përkatësisë etnike maqedonase me qindra vota, sepse shqiptarëve në diasporë që janë me qindra mijëra ose ju pamundësohet ose nuk ju numërohen votat.
  4. E katërta, pastrimi i listave zgjedhore akoma nuk është bërë,dhe larg është zgjedhja e së njëjtës. Afera e letërnjoftimeve të falsifikuara po merr drejtim të ruajtjes nga përgjegjësia ligjore të porositësve të falsifikimit. Për këtë shërben edhe komisioni hetues parlamentar i krijuar nga VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH në lidhje me aferën e letërnjoftimeve të falsifikuara. Është më se e qartë se ky komision është komision i cili në mënyrë direkte godet mbi marrëveshjen e “Përzhinos” sepse është komision paralel që godet mbi rolin e Prokurores speciale. Është më se e qartë se dy partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH edhe në këtë rast shërbyen si marionetë e VMRO DPMNE-së.

Si rrjedhojë, kemi tërësisht zgjidhje të vjetra në ndërkohë që kërkojmë një fillim të ri. Ne ju bëjmë apel që problemin ta shihni më thellë sepse me këto kushte dhe këto bisedime, konsiderojmë që nuk do të ketë ndonjë risi në përgatitjen e zgjedhjeve të Prillit.

Departamenti i Informimit LR-PDSH

12/01/2016

flamuri