Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş, njoftoi se sulmin terrorist në “Sulltanahmet” e ka kryer një shtetas sirian i lindur në vitin 1988, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas mbledhjes së sigurisë në Pallatin Çankaya, Kurtulmuş së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Efkan Ala dhe ministrin e Shëndetësisë, Mehmet Müezzinoğlu dhanë një deklaratë për mediat.

Kurtulmuş, i cili theksoi se në shpërthimin e ndodhur në “Sulltanahmet” të Stambollit kanë humbur jetën 10 persona, tha se: “Trupi i copëtuar është identifikuar se është i sulmuesit vetëvrasës. Si pasojë e punës së përpiktë të njësive përkatëse, është identifikuar se sulmuesi vetëvrasës është shtetas sirian i lindur në 1988 dhe kanë nisur hetimet”.

“Humbëm 10 persona, shprehim ngushëllimet tona për të vdekurit. Një pjesë e rëndësishme e këtyre janë shtetas të huaj. Ndërkohë, tani kemi edhe 15 të plagosur, ndër të cilët 2 janë në gjendje të rëndë”, tha Kurtulmuş, në lidhje me sulmin terrorist në “Sulltanahmet”.

Pas deklaratave, Kurtulmuş, Ala dhe Müezzinoğlu u nisën për në Stamboll, ku do të vizitojnë të plagosurit në Spitalin për Arsim dhe Hulumtim Haseki dhe më pas do të marrin pjesë në mbledhjen e cila do të mbahet në Prefekturën e Stambollit

turk.