Në Athinë është duke u mbajtur Kongresi i Jashtëzakonshëm i UEFA-s, nga i cili pritet të zgjidhet edhe presidenti i ri i institucionit më të lartë të futbollit në Europë, që do të zëvendësojë në këtë post Michel Platini.

 

UEFA do të emërojë pasardhësin e Michel Platini, i cili është përjashtuar 4 vjet nga futbollit për korrupsion. Ish-legjenda franceze u rizgjodh në krye të Konfederatës Europiane në vitin 2015 dhe fituesi i zgjedhjeve aktuale do të përmbushë mandatin e Platini, që përfundon në vitin 2019.

Platini mbajti një fjalim para të pranishmëve, ku tha se nuk ka bërë asnjë gabim gjatë punës së tij në krye të UEFA-s. “E kam ndërgjegjen e pastër”, tha ai.

Në garë për presidentin e ri janë Aleksandar Ceferin, presidenti i Federatës Sllovene, si dhe homologu i tij holandez Michael van Praag.

Një tjetër kandidat ishte edhe Angel Maria Villar, i cili u tërhoq nga gara një javë më parë. Konfirmimi u dha nëpërmjet një deklarate për shtyp të Federatës Spanjolle të Futbollit, ku mban postin e presidentit. Ky vendim i tij erdhi me faktin se federatat më të mëdha europiane, si Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia kanë shprehur hapur mbështetjen për Aleksandar Ceferin.