Ish-ambasadori i Misionit verifikues të OSBE-së gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë, William Walker, ka deklaruar se Kosova është në drejtimin e gabuar.
Walkeri, pas takimit me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, ka deklaruar se Kosova duhet t’i ndryshojë brezat të cilët e udhëheqin vendin politikisht. Walkeri ka theksuar se nuk beson që Kosova mund t’i zgjidhë problemet e shumta me klasën e tanishme politike. “Unë reflektoj shumë në mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë dhe pajtohem me ta se një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është klasa politike, e cila, mendoj, nuk është duke e ndjekur një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur. Në aspektin politik Kosova është në drejtimin e gabuar dhe njerëzit e Kosovës, të cilët u kthyen në Kosovë pas luftës dhe të cilët kanë festuar në rrugë pas shpalljes së pavarësisë në shkurt, kanë pritur një lloj të politikës shumë më ndryshe dhe njerëz shumë më ndryshe. Mendoj se Kosova duhet t’i ndryshojë brezat të cilët udhëheqin vendin politikisht. Mendoj se problemet e shumta dhe serioze me të cilat Kosova është duke u përballur nuk mund të zgjidhen nga kjo klasë politike e tanishme”, ka theksuar Walkeri.
Ai ka bërë me dije se i përkrah protestat të cilat po bëhen në Kosovë, por jo ato të dhunshme siç kanë ndodhur së fundi në Kosovë. “Edhe në SHBA protestojmë tërë kohën. Nuk dua të them se jam një admirues i tyre [protestave], por nëse ato janë një kauzë për të dalë në rrugë dhe të ngritur zërin për diçka, atëherë mendoj se janë shumë të mira. Por, nëse teprohen, e cila ndodhi së fundi, atëherë duhet të zgjidhet ky problem [dhuna në protestë]. Të dëgjosh se ka pasur njerëz me maska që kanë hedhur ngjyrë dhe kanë bërë gjëra të këqija në rrugët e Prishtinës. Dhe dëgjova prej Shpendit se ai si kryetar i Prishtinës nuk ka funksion mbi policinë, prandaj kjo është një çështje që i përket Qeverisë, e për këtë do ta fajësoja Qeverinë që i ka bërë gjërat, të cilat ka mundur t’i bej më mirë në protestë”, ka theksuar Walkeri.
Walkeri po qëndron në Kosovë me rastin e shënimit të 17-vjetorit të masakrës së Reçakut.
 WALLKER