Kryeministri Dimitar Kovaçevski shpreson që nëpërmjet grupeve të punës dhe takimeve të ardhme të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura kontestuese me partnerët e koalicionit qeveritar të cilët kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese. Ai këtu përmendi përplasjet për Kodin zgjedhor, Korridoret 8 dhe 10, ligjin për branitellat dhe ligjin për veting. Kryeministri dhe liderët e partive të koalicionit qeveritar zhvilluan takimin dy orësh në të cilin deklaruan se biseduan për të ardhmen evropiane të vendit.

“Plotësimi i detyrimeve nga korniza negociuese është imperativ, duke pasur parasysh se dhe procesi është hapur për këtë. Normalisht që ekspertët dhe përfaqësuesit e partive politike do t’i japin qëndrimet e tyre në kuadër të grupit të punës, prandaj edhe ai grup ekziston. Megjithatë besoj se në fund do të mbisundojë serioziteti politik dhe do të dorëzojmë amendamente të pranueshme për të gjithë dhe të cilat do të mundësojnë vazhdimin e rrugës evropiane, hapjen e kapitujve dhe kllasterave dhe plotësimin e synimit tonë deri në vitin 2030”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçevski tha se nuk planifikon të dorëzojë dorëheqjen e tij nëse deri në nëntor nuk zbatohen ndryshimet kushtetuese, për shkak se siç tha ai, mandati i qeverisë nuk është i lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese të cilat po ashtu janë edhe detyrim i opozitës.

Ose VMRO-DPMNE-ja do t’u bashkohet ndryshimeve kushtetuese si parti, ose vetëm individë nga kjo parti që nuk mendojnë njëjtë si lidershipi i tyre, kishte deklaruar kryeministri një natë më parë. Ai sot ftoi opozitën të jetë pjesë e këtij procesi.

“VMRO-DPMNE-ja do të duhet të vendosë a do t’i bashkohet bllokut evropian ose do të mbesë peng i Të Majtës. Shumë shpejt do të duhet të vendosin a do ta kapin trenin e fundit dhe do t’i bashkohen bllokut i cili në mënyrë të pashmangshme sjell vendime për rrugën drejt BE-së”, shtoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

I pari i qeverisë së fundmi është përballur me kushte nga partnerët e koalicionit qeveritar. Aleanca për Shqiptarët kërkon heqjen e 20%-shit, Partia për Ripërtëritje Demokratike e Maja Moraçanin kërkon një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, “Dinjiteti” i Stojançe Angellovit kërkon dëmshpërblim të “Branitellave”.

Përveç kryeministrit, asnjë lider tjetër pas takimit nuk u prononcua për mediat. /Alsat.mk