Gjendja e jashtëzakonshme me virusin korona ka edhe anët pozitive. Pavarësisht angazhimeve me mësimin online, shumë nxënës e shfrytëzuan këtë periudhë për të treguar aftësitë e tyre në sport, muzikë dhe art. Aida Ademi është nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme të mjekësisë, mirëpo të ardhmen e saj e sheh si një dizenjatore e modës. Këtë e dëshmojnë edhe modelet e shumta të saj.

“Me tepër më tërheq të vizatoj fustane nusërie, për nuse por edhe këto fustane për evente tjera, edhe ato i vizatoj më shpesh. Ndonjëherë mendoj tërë natën për ndonjë model, ose ndonjëherë vetëm më vjen ndërmend dhe e marr vizatoj”, tha Aida Ademi, nxënëse.

Një model fustani, Aida thotë se e vizaton brenda dy-tre ditëve. Inspirohet nga gjëra të ndryshme të cilat i shpreh në zbukurimin e modeleve të ndryshme.

“Ndonjëherë edhe inspirohem prej në internet, prej sfilatave. Xhaxhai im ka qenë rrobaqepës profesional, babai im merret me artë dhe disa të tjerë të familjes. E kam trashëgimi dhe çdo herë më përkrahin për këtë lëmi”, u shpreh Aida Ademi, nxënëse.

Aida thotë se dëshira e saj për dizajn kishte nisur që në moshë të vogël. Vizatimet e para thotë se ishin shtëpi, veshje kukullash e shumë të tjera.