Takimi njëditor do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia dixhitale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të organizojë nesër në Durrës një takim informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me temë thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë ka konfirmuar në një njoftim se në këtë takim do të marrin pjesë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, si dhe komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Takimi njëditor do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia dixhitale.

Sipas njoftimit, pritet që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë dhe të “garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.”

Gjithashtu, theksohet se rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.