Vendosja e kryqit në Butel përmes politikave të këtij pushteti nuk është asgjë tjetër, veçse një paraqitje e fundit për ta vënë në sprovë të palakmueshme bashkëjetesën në kohë për përfitime të politikave ditore. Kryqi është vetëm një proces si paraqitje elektorale që veçse taktizon midis koalicionit në pushtet për ta shpërlarë trurin e të gjithë bashkësive që jetojnë në vend. Shpeshherë është parë që ky pushtet është kontrovers ndaj bashkërenditjeve politike, pasi forma e qeverisjes është një lojë taktike e kurdisur, e veçanërisht kur vjen koha e fushatave ata “tërbohen” gjoja me realizimin e projekteve që nuk i shërbejnë asnjë dobi as vendit, por as dhe qytetarit.

Si rezultat i vendosjes së kryqit nga pushteti i VMRO-DPMNE-së, sjell gjoja “tërbimin” e pushtetit tjetër të BDI-së me protestë, me qëllim pengimin e vendosjes së kryqit kundër pushtetit që ata bëjnë vetë pjesë. Protesta e BDI-së nuk faktoi asnjë rezultat në pengimin e vendosjes së kryqit, dhe kjo përpjekje e tyre e dështuar ishte veçse një farsë që u ngjit në fytyrat e atyre pak njerezve që kishin dalë sa për t’u dukur.Kryqi po vendoset me të gjitha ritet fetare nga pushteti, ndërsa kjo faqja tjetër e pushtetit ende me përpjekje për ta mbrojtur qëndrimin se kryqi nuk do të vendoset ne vendbanimet shqiptare. Kjo farsë e pushtetit kundër pushtetit është shpërlarje e trurit në këto kohë krizash, dhe se qytetari është tjetërsuar nga këto praktika dyfytyrësie.
Në protestë morën pjesë dhe zyrtarë të lartë të BDI-së për ta penguar kryqin me mjetet e fjalimeve boshe, kur deputetja “rebele” Ermira Mehmeti që mëton ta reformojë partinë, po shpreh revoltën e saj nga pikëpamjet e veta: “Dikush me kokëfortësi mund të bëjë c’të doje me shtetin dhe në vendbanimet shqiptare nuk mund të bëjë çfarë të dojë të bëjë. Çfarë të dujnë lë të bëjnë matanë urës, por në këtë anë të urës do të ndërtohen objekte kulti, simbole, vetëm shenja që reflektojnë bashkëjetesën”.

Kjo ndarje e deputetës Ermira Mehmeti është një hipokrizi e radhës, pasi shteti nuk mund të ndahet brenda shtetit, por shteti mund të ndërtohet dhe zhvillohet ngado në tërësi për të mirën e çdo qytetari dhe shoqërie që jeton në Maqedoni. Këto deklarata boshe janë farsë e pushtetit kur humb kuptimin e vërtetë të qeverisjes.

 

©Fol.mk