Sela: Fillimisht ta ruajmë shqiptarin nga shteti, e pastaj të mendojmë për shtetin! (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët tashmë disa ditë po vazhdon turneun e takimeve me bashkatdhetarët tanë në vende të ndryshme perëndimore. Në takim me bashkatdhetarët që veprojnë e punojnë në shtetet Skandinavike, kryetari i LR-PDSH Ziadin Sela ka folur për mjaft çështje të aktualitetit politik, ndër të cilat edhe për pozitën shqiptare në shtet dhe bashkëpunimit opozitar.

 “Shqiptarët ndodhet aty ku janë nën kufijtë e shteteve tjera përkundër vullnetit të tyre , por ne nuk kemi ndërmend të dalim kundër interesave të miqve tanë ndërkombëtar nuk do të shkojmë assesi, por jemi këtu që tu themi mjaft ishin shkeljet mbi dinjitetin dhe kurrizin e shqiptarëve. Ka pasur koncepte të tilla që thonin që duhet ta ruajmë shtetin , por unë them që fillimisht duhet ta ruajmë shqiptarin nga shteti, e pastaj të mendojmë për shtetin”, tha Sela.

 Sa i përket bashkëpunimit opozitar Sela u shpreh se vet prezenca e dy liderëve të dy partive politike , Ziadin Sela LR-PDSH , dhe Vesel Memedi RDK , është dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se ne jemi për bashkëpunim opozitar dhe se e bëmë bashkëpunimin opozitar.

“Përndryshe, vizitat te mërgimtarët tanë do të ishin të ndara do të kishte ardhur Veseli i vetëm apo do të kisha ardhur unë i vetëm ashtu si vijnë gjithë partitë tjera politike vetëm. Siç është e njohur tani më për opinionin ne kemi bërë bisedime tre-palëshe mes RDK, LR-PDSH dhe Lëvizjes “Besa” në Prishtinë te “Vetëvendosje” dhe principet e koalicionimit të Aleancës për Shqiptarët janë principe që u diskutuan në Prishtinë , tri gjëra u shtruan atje: Platforma e përbashkët , listat e përbashkëta zgjedhore dhe koordinim aktivitetesh të përbashkëta, ndërsa ne e kemi shtuar edhe pikën e katërt që ishte Mospjesëmarrje në qeveri deri sa nuk pranohet platforma e Aleancës për Shqiptarët dhe nuk bëhen ndryshime kushtetuese dhe ligjore”, tha Sela.

 Sipas tij, me të pa drejtë Aleanca për Shqiptarët është akuzuar se është ajo që e pamundëson bashkëpunimin opozitar. “Në të tilla raste kemi qenë të detyruar që ofertën e barabartë për bashkim opozitarë ta bëjmë edhe publikisht, sepse mendojmë se nuk është mirë ti thuash shqiptarit eja por rri prapa meje , shqiptari e meriton të trajtohet i barabartë, ne nuk jemi për bajraktarizma sepse në Aleancën për Shqiptarët nuk ka bajraktar , këtu ka lider aq sa ka edhe parti pjesëmarrëse në koalicion . Është e mundur të mundet BDI edhe vet këtu s’ka dilemë , por a duhet që për një punë të mirë gjithë shqiptaret të rreshtohen ta bëjnë një punë të mire ? Kjo është elementi bazë pse jemi ne për bashkim të opozitës”, tha Sela në takimin e zhvilluar me bashkatdhetarët në Oslo të Norvegjisë.