Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë

Kukësi është fituesi i Kupës së Shqipërisë në futboll, pasi arriti të fitojë me 11-metërsha ndaj Laçit në finalen e zhvilluar këtë të diel në “Qemal Stafa”.

Kuksianët ishin shumë pranë triumfit që në kohën e rregullt, por një gol i shënuar në minutën e 3 të shtesës bëri që ndeshja të shkojë në shtesë.

Pjesa e parë e takimi u mbyll me rrejta të paprekura, pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve të cilat më shumë ishin të përqendruar në mesin e fushës. Gjyqtari kryesor i takimit, që në këtë rast ishte italiani Marko Guida, u detyrua të nxirrte 5 kartonë të verdhë vetëm në pjesën e parë.

Ndërsa 45 minutat e dyta nisëm me Kukësin më kërkues dhe në minutën e 66 ata arritën të gjejnë edhe golin e avantazhit të shënuar nga Karioka. Braziliani lëshoi një goditje të fortë në ecje e sipër dhe topi përfundoi në rrjetën e laçianëve.

Një gol mjaft i rëndësishëm i Kukësit, që vetëm 9 minuta më vonë mbeti me një lojtar më pak pas daljes nga loja me kartonin e kuq të Nikës, i cili u ndëshkua pas një ndërhyrje në mesin e fushës.

Në minutat e mbetura, ekipi i Laçit e rriti presionin dhe në minutën e 3 të shtesës arriti të shënojë golin e barazimit me anë të Mitrajt.

Për të vendosur fituesin u nevojit të luheshin 30 minutat e shtesës, por asnjë nga ekipet nuk arriti të shënonte dhe penalltitë ishin ato që vendosën fituesin.

Në goditjen e 11-metërshave lojtarët e drejtuar nga trajneri Klodjan Duro u treguan perfekt, duke i realizuar të pesta penalltitë, ndërsa për Laçin gaboi Dosti, i cili goditi traversën.

Triumfit të Kukësit i gëzohet edhe Teuta, pasi tashmë janë durrsakët që do të marrin pjesën në Europa League sezonin e ardhshëm e jo Laçi.