Nuk e teproj kur pohoj se në gjithë Lindjen e Kuqe, përveç shkatërrimit ekonomik e vëllavrasjes gjigante që solli kultura marksiste, mbeti në errësirë dhe mendja. Ndër mijëra paradokse komuniste, një më shumë është edhe fakti se shkollat perëndimore, pikërisht ato që Karl Marxin e bënë filozof, u eklipsuan në diktaturat e lindura nga idetë e tij. Dhe, nëse shkatërrimi ekonomik qe aq dukshëm veçanërisht në Shqipërinë e varfëruar maksimalisht në vitet ’90 me fenomenin specifik “boat-people”, puna e dijeve marksiste është pa dyshim pjesa e padukshme e ajsbergut për intelektualët dhe pjesën më të madhe të shoqërisë aktuale shqiptare.

Nuk dua të jem denigrues ndaj më të lartëve të mendimit shqiptar, por thjesht të vë në dijeni se nëse me të vërtetë duan t’i shërbejnë shoqërisë, duhet të vrasin mendjen se kultura që morën pa pushim gjatë gjysmë shekulli në diktaturë, ishte krejtësisht false dhe e pa vlerë. Duhet korrigjuar në rrënjë. Nuk mund të pretendosh për një vend të shpëtojë nga vetvetja pa pasur në radhë të parë intelektualët e lartë të ndriçuar, me dijet e duhura thelbësore për

Shekulli i kaluar, më i përgjakshmi në historinë botërore, pati pasojë jo vetëm dëbimin e luftërave nga Evropa, por dha përfundimisht dhe një model të ri praktik, të përcaktuar, në zhvillimin human. Konkretisht, shoqëritë perëndimore e veçanërisht vendet e Evropës veriore, shënojnë kulmin e zhvillimit kulturor. Është karakteristike se shumica e vetë intelektualëve evropianë, në periodën midis dy Luftërave Botërore, besonin në teorinë e filozofit të madh gjerman Hegel, që ky e pat huazuar nga Herakliti mendimin se “lufta është higjienë”, d.m.th. vëllavrasje. Prandaj, bëj fjalë për model. Dhe, kjo rrugë e re në një drejtim që mendjet më të mençura të Evropës e kanë përcaktuar prej shekujsh, që nxori njerëzimin nga egërsia e xhunglës, nuk është gjë tjetër përveç se kultura perëndimore që duhet të njohin në veçanti intelektualët e lartë, për të ndriçuar shoqërinë.

I shkruaj këto rreshta sepse intelektuali nuk duhet të presupozojë një mendje të fosilizuar, që i palodhur merr e jep lavdërime në kafene apo Internet. Intelektual do të thotë të përpiqesh të ndryshosh sado pak fatin e vendit tënd. Shumica kënaqet pa u kujdesur për mendimin e mbetur përjetësisht shterpë. Madje është qesharake kur rastis të bësh vërejtje për citatin e një gjeniu të huaj dhe kjo të merret si dëmtim personal nga ana publikuesit në FB.

Nuk mund të shkruajë një shkrimtar cilësor apo të marrë penelin në dorë një piktor pa pasur njohuritë e duhura rreth mendimit perëndimor, që ndryshoi fatin e njerëzimit. Dhe, mundësisht njohuritë të jenë me bazë dhe jo të sipërfaqshme. Gjigantët si Leonardo da Vinci, Botticelli, Perugino e mjaft të tjerë, për të realizuar mrekullitë që krijuan merrnin mësime filozofie nga mjeshtri italian Andrea del Verrocchio. Ndërsa, gjithë modernët e famshëm të kohëve të mëvonshme kuptohet që krahas talentit janë pasojë dhe e shkollave të mendimit cilësor perëndimor.

Gabimet që bën në mendim i ashtuquajturi intelektual i lartë shqiptar janë të shumta. Janë gjithashtu edhe fatale, përderisa mendimi i transmetohen shoqërisë. Bie fjala, thuhet se Shqipëria ka nevojë për “një dorë te fortë”. Përgjigja është se mjerë vende që historikisht zgjodhën apo vijojnë të zgjedhin qeverisje me Shtetin e kufizuar të së Drejtës. Diktatorët e kësaj natyre në vendet pa Rilindje shpirtërore kthyen rrotën e historisë shekuj pas.

Një tjetër mungesë esenciale në formimin intelektual është kur flitet ose shkruhet për fat. Është një fjalë që duhet zhdukur nga fjalori për tu zëvendësuar me shpresën, krijimtarinë, hapjen shpirtërore, disiplinën, metodën, planifikimin, energjinë shpirtërore, që sot ka shpërthyer kohën në Vendet Perëndimore. Ndërsa, fatalizmi është karakteristikë e të gjitha shoqërive të prapambetura.

Flitet se gjoja shkenca në Perëndim është kundër Fesë. Falë falsitetit marksist, përfytyrohet sikur populli zbriti më rrugë me shkencëtarët në krye për të fituar të drejtat. Nuk ka më të gabuar nga kjo. Rilindja evropiane u krye nga murgë-filozofë gjenialë të kalibrit Agostini i Iponës, Alberti i Madh, Tomas Akuini, Abelard etj. Edhe Giordano Bruno që Kisha e dogji të gjallë ishte murg-filozof, besimtar e mbi të gjitha trim. Mençuria e tyre konsiston si iu afruan Zotit, d.m.th. misterit, të panjohurës, me logjikën e Platonit e Aristotelit, jo me zemër asketi. Shkencëtarët e filozofët e jashtëzakonshëm që vijuan më pas, e respektuan këtë parim. Kjo vijon edhe sot. Qendrat më të mëdha shkencore të botës, udhëhiqen nga simbole fetare. Veç janë simbole jo në kuptimin e çmendur obskurantist fetar, por ne atë të krijimtarisë e perspektivës së njerëzimit. Fjala vjen, thënia Biblike: “Zoti ndërtoi botën në gjashtë ditë” ka kuptimin e krijimtarisë njerëzore.

Në simbolikën fetare thuhet se e kaluara është e keqe (dëbimi nga Parajsa), e tashmja është vetëkorrigjim, e ardhmja shpëtim. Këtë skemë ndjek edhe Shkenca: e kaluara është padituri, e tashmja kërkim dhe e ardhmja progres. Vetë Freudi, pavarësisht që shkroi kundër Fesë, edhe ai zbatoi skemën e saj: “E kaluara e ka të keqen në traumat fëmijërore, e tashmja është psikanalizë dhe e ardhmja shërim.” Ndonëse shkatërroi nga themelet gjithë ato vende e popuj, Marksi zbatoi të njëjtën skemë Fetare: “E kaluara është padrejtësi, e tashmja revolucion dhe e ardhmja drejtësi mbi Tokë.

Mund të tingëllojë e çuditshme, por nuk kam parë apo dëgjuar asnjë intelektual të lartë të dijë të interpretojë në thelb dy figurat më të larta shqiptare që i nderon sot gjithë Bota Perëndimore: Skënderbeun e Nënë Terezën. Trajtohen veç për mburrje siç bënin indigjenët amerikan me copa xhami me ngjyrë, në gjoks, të dhuruar nga aventurierët e parë evropianë që zbuluan Amerikën. Për kohët moderne të energjisë kolosale të globalizmit, që kërkon kultura cilësore për të mbijetuar, Gjergj Kastrioti është shembulli më i mirë që shqiptari ta përdorë konkretisht në jetë energjinë e tij megatonëshe, për të ndryshuar fatin e tij.

Vetë Nënë Tereza, nëse kuptohet në thellësi simboli i saj, do të mund të bëhej një tjetër protagoniste e jashtëzakonshme për ndryshim. Madje, më shumë edhe nga Skënderbeu në kohë paqe. Mbasi simboli thelbësor i Nënë Terezës është e ashtuquajtura hapja e shpirtit. Nëse vendet evropiane filluan të ndryshojnë, mrekullia ndodhi ngaqë Individi me ndjenja njerëzore, i prirë nga logjika, filloi të shkëputej pak e nga pak nga gjendja emocionale, instinktive, vëllavrasëse, e grupit. Këto duhet të kuptojë intelektuali i lartë. Hapje shpirti do të thotë në radhë të parë të pushojë ndjenja armiqësore e shqiptarit ndaj shqiptarit. Secili të fillojë të mendojë jo në bazë të grupit, partisë, krahinës, sojit e farës, por për të mirën e përgjithshme. Më mirë nga kushdo tjetër, këtë defekt në thelb të natyrës njerëzore, dinë ta shfrytëzojnë politikanët e korruptuar, nxitës akoma më keq të polarizimit shoqëror. Më kot shpresohet për një politikë të ndershme apo për një shtet të ri të së drejtës pa vjedhje e korrupsion. Pa harmonizim, sintezë e bashkëpunim të të gjithë dasive aktuale nuk ka të ardhme.

E fundit është që nuk gjen sot në Shqipëri veç se fare përkrahës të admirojnë mbinbjerëzit e rrallë, të jashtëzakonshëm si individë me burrëri e fisnikëri në shpirt si Pjetër Meshkalla, që u fut në burg për herë të dytë me dashjen e tij. Në vend të kësaj kategorie hyjnore, që sfiduan hetuesitë, modele të më të lartës humane, admirohen gjithfarë tipash pa kurrfarë vlere si njerëz, ish-spiunë që bën emër në kohën e diktaturës dhe që me shkrimet e tyre nxisnin luftën vëllavrasëse të klasave. Influencuan direkt në gjendjen e shoqërisë së sotshme, përmes kulturës marksiste që përhapën.

Hannah Arendt interpreton të lidhurit me zinxhirë që mund të vrasin personin që iu thotë të vërtetën, te miti alegorik monumental, “Shpella e Platonit”. Shtoj me këtë rast se skllevërit nuk janë vetëm të paditurit e lidhur me zinxhirë në gjendje të egër, por ca më shumë të shkolluarit e verbër në trajtën e Njeriut të Ri Socialist, që iu mungojnë dijet e duhura, pa iu rënë fare ndër mend një gjë e tillë.

Vetëm kultura që bëri Marxin filozof arrin të ndërtojë botë dhe njerëz me gjallërinë e mendimit përherë të pranishme, si shtytje e vijueshme te e ndryshmja, te modeli i më të Lartës që sot në Shqipëri mungon. Mbi këtë bazë ndërtohen demokracitë e vërteta. Kështu zhvillohet jeta normale. Intelektualët duhet të jenë të parët për të ndryshuar vendin e tyre. Veç se për të zbuluar një botë kërkohet aftësia e intelektit, shpirtit apo mendjes së hapur, për të shkatërruar nga themelet botën e mëparshme.