Shkruan: Mensur Pajaziti

Maqedonia ndodhet për një kohë të gjatë në tranzicionin politik dhe ekonomik, dhe ky tranzicion e ka shtyrë që institucionet të preken brenda një bindje hermetike, ku shumë çështje politike të prekin krizat e thella që nuk gjejnë rrugëdalje në asnjë mënyrë. Zgjatja e kësaj krize politike në vend nuk i kontribuon as interesave shtetërore, por as interesave të subjekteve politike, pasi kjo krizë reflekton njohjen dhe angazhimin adekuat në politikë. Zgjidhja e krizës politikë është një çështje e thjeshtë, por duket e ndërlikuar kur përpiqesh ta nxjerrësh nga konteksti zgjidhjen e vërtetë, e cila duhet të jetë e domosdoshme. Koalicioni i regjimit VMRO-DPMNE-BDI është një sistem që i ka kontribuar kësaj krize në vazhdimësi, dhe tashmë kur mbushet kupa derdhen dëmet dhe dështimet e tyre në politikë.

Ky koalicion i këtij regjimi të bezdisshëm është vetë shkaktari i krizës, dhe po ky koalicion e mban peng zgjidhjen, pasi kur krijon krizën duhet një ditë të përballesh me pasojën. Andaj, të vetëdijshëm se zgjidhja e krizës politike këtë koalicion e çon drejt humbjes së betejës politike e institucionale, po ashtu dhe e drejton drejt përgjegjësive juridike ndaj veprave penale të kryera me planin e tyre famëkeq, që fatmirësisht u zbuluan nga afera e përgjimeve. Zgjidhja politike e kësaj krize të stërgjatur, që ka vënë gjithë institucionet dhe popullin në gjumë të gjatë mund të zgjidhet duke pasur një trysni nga faktori ndërkombëtar të përdorur me fjalor të vrazhdë, dhe përmes udhës ligjore që Prokuroria Speciale Publike ndjek zyrtarët e lartë të këtij regjimi. Sigurisht, që pa një qeveri ekpertësh do të ishte krejt e pamundur arritja e zgjidhjes së krizës, pasi qeveria e ekspertëve do të ketë përkrahje nga faktori i jashtëm për të gjitha mekanizmat, dhe qeveria në fjalë do të mund më lehtë të pastrojë listën zgjedhore, të përgatit vendin në zgjedhje fer, demokratike dhe krdibile të njohura ndërkombëtarisht.

Domethënë, pa një presion të faktorit ndërkombëtar dhe pa funksionimin e plotë dhe të pavarur të Prokurorisë Speciale Publike, kriza vështirë se mund të zgjidhet. Por, ne shpresojmë se kjo krizë do të zgjidhet, dhe se populli bashkë me subjektet politike që ofrojnë platformë serioze ta arrijmë ta shkulim këtë regjim nga institucionet dhe ta biem lirinë dhe demokracinë e vërtetë e të frymojmë krejt lirshëm.

©FOL