Shkruan Prof. Vebi Bexheti

Ligji për përdorimin e gjuhëve, që nga momenti i shpalljes në Fletoren Zyrtare dhe fillimet e zbatimit, atje ku nuk duhej pritur themelimin e Agjencisë dhe Ispektoriatit, hasi në rezistencë, jo vetëm nga opozita VMRO- iste por edhe nga vet Qeveria, edhe pse Kryeministri Zaev në paraqitjen televizive të ALSAT-it mëtonte të bëhet demokrati më i madh, edhe për çështjen e ligjit. Vet fakti se ishte i kënaqur më dërgimin e tërsishëm të Ligjit në Komisionin e Venedikut, e jo vetëm për pjesët që kontestoheshin nga partitë politike maqedonase, siç janë edhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve në banknotat e këtij shteti, që gjithsesi duhet të ndërrohen, duke u harmonizuar me kërkesat e këtij Ligji, na bën ta kuptojmë mosgatishmërinë e tij për jetësim të plotë.

Po në TV ALSAT, në programin maqedonisht të së mërkurës, në orēn 22 , Guvernatorja e Bankës Popullore të Maqedonisë, pyetjes së gazetarit se si planifikohen për realizim ndryshimet në banknota, si kërkesë e Ligjit për gjuhët, iu përgjigj se edhe kështu siç janë, banknotat i plotësojnë kërkesat e nenit 8-të të këtij Ligji, sepse sipas kësaj ,,eksperteje” edhe për çështje identitare shqiptare, mjaftuakan disa zbukurime tavanesh të stilit oriental të cilat i hasim edhe në shtëpitë maqedonase, turke e shqiptare dhe pjesë nga pamja e fasadës së jashtme të Xhamisë së Pashës, këtij objekti unikal fetar islam.

Shqiptarët si popull autoktonë në trojet e veta historike këtu nē Maqedoni, kanë kultivuar dhe ruajtur shumë vlera me karakter kombëtar, prandaj partitë shqiptare qeveritare nëse nuk e njohin mire historinë e kombit të vet në këto troje e më gjerë, le të konsultohen me ekspertë të fushave të ndryshmë, pa drojë se dikush do t’ua marrë meritat për këtë ligj me shumë të panjohura, sidomos në zbatimin e tij. Po t’i hedhim një sy historisë sonë në nivel mbarëkombëtarë, madje edhe të pjesës së saj në këto troje, që nga lashtësia e deri më sot, do gjejmë aq shumë vlera që mund të mbulonin banknotat e tërë Ballkanit.