Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është përgjigjur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sot gjatë ditës tha se janë Albin Kurti e Isa Mustafa, ata që duan luftë me Serbinë.
E ka quajtur Thaçin gjysmë president të Kosovës, sepse thotë gjysma tjetër e tij është president i Serbisë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Gjysmë Presidenti

Më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian pat vendosur t’i hap negociatat me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE. Ishte kjo vetëm dy ditë pas ratifikimit të dhunshëm në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013. Tash Serbisë po i nevojitet Thaçi për ta kaluar kapitullin 35 drejt BE-së e i cili shënon varësinë e Serbisë nga Kosova.

Mund t’i ketë lënë punët përgjysmë në Kosovë ky President: para dy dekadave kishim gjysmë çlirimi sepse u nda Mitrovica dhe u çarmatos UÇK-ja; para një dekade kishim gjysmë pavarësie sepse as s’u bashkua Mitrovica dhe as s’u bë ushtria. Kështu e ka në Kosovë ky. Ndërkaq Serbia nuk e lejon t’i ngelet në gjysmë të rrugës: marrëveshja Thaçi-Daçiq ajo kërkon që të vazhdohet me marrëveshjen Thaçi-Vuçiq.

Prandaj Presidenti Thaçi është veçse gjysmë President i Kosovës. Gjysma tjetër e tij është president për Serbinë (sa më thellë në Kosovë e sa më shpejt drejt BE-së). Duket që gjysmë Presidenti nuk ka tavan për dëmet që mund t’ia bëjë Kosovës drejt ndihmës që ai don t’ia japë Serbisë. Teksa ai nuk sprapset, ne duhet t’ia heqim atij dyshemenë, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në Shesh të Republikës.